Telegrafi

Profesionistët e teknologjisë dhe bankierët nuk janë pjesë e mobilizimit rus

Profesionistët rusë të teknologjisë, bankierët dhe gazetarët që punojnë për mediet shtetërore nuk do të thirren për të luftuar në Ukrainë, ka thënë ministria e mbrojtjes e Moskës.

Njoftimi vjen pas vendimit të presidentit rus Vladimir Putin në fillim të kësaj jave për të mobilizuar 300 mijë rezervistë për të luftuar në Ukrainë, raporton Sky News, përcjell Telegrafi.

Ministria tha se disa punonjës që punojnë në sektorë të rëndësishëm do të përjashtoheshin nga drafti në përpjekje për të “siguruar mbrojtjen e punës së industrive specifike të teknologjisë së lartë, si dhe të sistemit financiar të Rusisë”.

Ministria shtoi se drejtuesit e kompanive duhet të hartojnë listat e punonjësve të tyre që plotësojnë kriteret.

Ndryshe vendimi i fundit i Putinit u përcoll me protesta masive në qytetet e Rusisë. Autoritetet arrestuan qindra njerëz, derisa disa prej tyre i ka rekrutuar në ushtri. /Telegrafi/