Mason Greenwood është liruar me kusht pasi kaloi tre ditë në paraburgim, dhe tani trajneri Gareth Southgate ka mbyllur derën për çdo përfshirje në Kombëtaren e Anglisë.
Sulmuesi i Manchester Unitedit, i cili përballet me akuza për sulm, përdhunim, sulm seksual dhe kërcënime me vdekje, tashmë i është thënë se nuk është në planet e Southgate në të ardhmen e afërt.
Sipas mediumit The Sun, trajneri i Anglisë e ka ndaluar Greenëood të luajë për Tre Luanët derisa të zgjidhen çështjet e tij ligjore.
Problemet e Greenwood vazhdojnë
Kjo nuk është hera e parë që Greenwood ka probleme në kombëtaren angleze.
Vetëm pak orë pasi bëri debutimin e tij për Anglinë në shtator të 2020, lojtari i lindur në Bradford dhe Phil Foden i Manchester Cityt u dërguan në shtëpi nga Islanda pasi injoruan protokollet kundër COVID-19.
Dyshja u panë me disa femra të reja brenda dhe përreth hotelit ku Anglia ishte vendosur në atë kohë në Islandë.
Më shumë siguri në shtëpi
Pasi u kthye në shtëpinë e tij në Cheshire (një shtëpi me qira me vlerë 14,000 funte në muaj), gjëja e parë që bëri Greenwood ishte rritja e sigurisë rreth tij.
Futbollisti, i cili tashmë ka marrë kërcënime, kërkon të shmangë problemet e mëtejshme dhe ka punësuar dy roje të reja sigurie për të monitoruar perimetrin e shtëpisë së tij 24 orë në ditë.
Greenwood ka instaluar gjithashtu pajisje të reja video-kamera në shtëpi për të parandaluar hyrjen e njerëzve jashtë rrethit të tij të brendshëm. /Telegrafi/