Site icon Telegrafi

A pritet përparim në procesin e liberalizimit të vizave? Vizita në Kosovë e kancelarit gjerman, ministrit të Jashtëm austriak dhe presidentit të KE-së 

Brenda një jave për vizitë në vendin tonë ishin kancelari gjerman, Olaf Scholz, vizitë kjo që u vlerësua historike, ministri i Jashtëm i Austrisë, Alexander Schallenberg, ndërsa sot për vizitë ndodhet edhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.

Në takimet ndërmjet krerëve të Kosovës dhe kancelarit gjerman, si dhe me ministrin e Jashtëm të Austrisë temë diskutimi ishte çështja e liberalizimit të vizave, dialogu Kosovë-Serbi, marrëveshja përfundimtare si dhe siguria në rajon pas agresionit rus në Ukrainë.

Në dy vizitat e para Kosova mori mbështetje për procesin e liberalizimit të vizave, ndërsa në një konferencë për media Scholz tha se marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të zgjidh edhe çështjen e njohjes së Kosovës dhe se është e paimagjinueshme që dy vende të bëhen anëtare të BE-së e nuk e njohin njëra tjetrën.

Ai gjatë vizitës në Kosovë më 10 qershor tha se Gjermania do të angazhohet që liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës të ndodhë sa ma shpejtë.

“Takimi i serishëm pas një muaji tregon sa të ngushta janë marrëdhëniet tona bilaterale… Çështja e liberalizimi i vizave duhet të shkojë përpara… Ne do të angazhohemi që liberalizimi i vizave të ndodhë sa më shpejt pasi Kosova i ka plotësuar kriteret. Për këtë do të flasim me të gjithë partnerët në Evropë në mënyrë që të binden edhe ata”, ishte shprehur ai.

Lexo po ashtu Scholz: Çështja e liberalizimit të vizave duhet të shkojë përpara

Duke folur për proceset integruese, kancelari gjerman tha se do ta rijetësojë Procesin e Berlinit, ndërsa në vjeshtë do të ftojë një konferencë në Berlin.

Ai tha se Procesi i Berlinit është një shenjë që Gjermania do të ndihmojë me të gjitha mundësitë që ka vendet e Ballkanit Perëndimor që t’i bashkëngjiten BE-së në kohën e duhur dhe për t’i bindur ato që rruga duhet ndjekur.

Sipas tij, rruga drejt BE-së ka një shans realiste, ndërkaq të gjitha vendet duhet të jenë të gatshme për kompromise pragmatike.

Kancelari gjerman foli edhe për dialogun Kosovë-Serbi, duke thënë se është shumë i rëndësishëm, ndërsa kërkoi nga të dyja palët zotim të qartë, konstruktivitet dhe pragmatizëm.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz gjatë një konference për media në Prishtinë

Ai tha po ashtu se marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të zgjidh edhe çështjen e njohjes së Kosovës.

“Kosova dhe Serbia përmes një marrëveshjes gjithëpërfshirëse të gjejnë një zgjidhje politike. Dialogu është rruga që i hap Kosovës perspektivën evropiane…E qartë është që marrëveshja duhet të zgjidh çështjen e njohjes së Kosovës…Është e paimagjinueshme që dy vende të bëhen anëtare të BE-së e nuk e njohin njëra tjetrën…”, tha ai.

E të martën e 14 qershorit për vizitë në Kosovë ishte edhe ministri i i Punëve të Jashtme të Austrisë, Alexander Schallenberg.

Ai takoi krerët e shtetit, ndërsa pas takimit me ministren e Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, në një konferencë për media tha se Kosova dhe Austria kanë marrëdhënie të shkëlqyera në të gjitha fushat.

Kryediplomati austriak, tutje u shpreh se situata në Ukrainë duhet të shërbej si thirrje që BE-ja të zgjohet dhe të trajtoj anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në familjen e saj.

“Kemi marrëdhënie të shkëlqyer në gjitha fushat. Një gjë është e qartë, vizita ime po bëhet në kohën kur nuk është situatë e zakonshme… Ne duhet të kemi parasysh që Moska e ka mundësinë të bëjë destabilizim të rajonit, dhe kjo gjë na ngreh neve zilet e alarmit. Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës, është thirrje për të zgjuar BE-në për të trajtuar synimin e anëtarësimit në BE dhe kjo nuk ka qenë asnjëherë më e rëndësishme se tani”, tha Schallenberg.

Schallenberg bëri thirrje që të hiqen vizat për Kosovën.

Lexo po ashtu Ministri i Jashtëm austriak: BE-ja të heq vizat për Kosovën, Moska mund të destabilizoj rajonin

“Të hapen negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, dhe të bëhet liberalizimi i vizave për Kosovën. Austria do ta kërkoj këtë gjë në mënyrë aktive, e kemi bërë në të kaluarën dhe do të vazhdojmë ta bëjmë”, u shpreh ministri i jashtëm austriak.

Schallenberg përmendi edhe çështjen e dialogut Kosovë-Serbi, ku tha se në fund të këtij procesi duhet të ketë normalizim të plotë dhe njohje, e cila sipas tij nuk vihet në dyshim fare.

Ministri i i Punëve të Jashtme të Austrisë, Alexander Schallenberg gjatë një konference për media në Prishtinë

Ndërkaq, sot për vizitë në vendin tonë ndodhet presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michell.

Një ditë më parë Komisioni për Punë të Jashtme i Parlamentit Evropian ka votuar pro raportit për Kosovën, ku bëhet thirrje për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.

43 eurodeputetë kanë votuar pro, 9 kundër dhe 5 kanë abstenuar, shkruan Telegrafi.

Në draftin e raportit që e kishte prezantuar më parë raportuesja për Kosovën në këtë Komision, Viola von Cramon, është përsëritur se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave që në vitin 2018, por akoma nuk është miratuar vendimi për liri të lëvizjes.

Në tekstin e këtij dokumenti i bëhet thirrje Këshillit të BE-së që urgjentisht të marrë vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Në dokument përfshihet edhe mbështetja ndaj kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, aspiratat e Kosovës për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, sikur edhe thirrja për pesë vendet anëtare të bllokut evropian, të cilat nuk e kanë njohur akoma pavarësinë e Kosovës, që ta bëjnë një gjë të tillë.

Kosovës i bëhet ftesë të vazhdojë procesin e reformave, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ndonëse konstatohet se Kosova ka shënuar një përparim në këtë drejtim. /Telegrafi/

 

Exit mobile version