Telegrafi

Prisnin drunj ilegalisht, policia arreston tetë persona në Ferizaj

Tetë persona janë kapur në flagrancë, gjatë një operacioni të Policisë së Kosovës, derisa po prisnin drunj ilegalisht në malet e fshatit Jerzerc të Ferizajt.

Në njoftimin e bërë nga Policia  e Kosovës thuhet se, gjatë realizimit të planit operativ “Mbrojtja e pyjeve 2019” janë konfiskuar edhe katër traktorë dhe katër motosharra.

Të dyshuarit janë duke u intervistuar dhe pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit do të merren masat e duhura ligjore, transmeton Telegrafi.

“Bazuar në planin operativ ,,Mbrojtja e pyjeve 2019” , njësitet policore  të Stacionit Policor të Ferizajt të mbështetura nga Njësia për reagim të shpejtë, sot me 28.08.2019, nga orët e hershme të mëngjesit, kanë vazhduar me angazhimin tyre të filluar kohë më parë lidhur me parandalimin e vjedhjeve të  pyjeve dhe transportimit ilegal të drunjëve .

Falë informatave të siguruara nga tereni, Policia e Kosovës,në malet e fshatit Jerzerc,deri tani ka arrestuar disa persona të kapur në flagrancë  duke prerë drunj në mënyrë ilegale”, thuhet në njoftimin e bërë nga Policia e Kosovës.

Policia bën të ditur se, lidhur me rastin janë informuar Inspektorët e Ministrisë së Bujqësisë-Agjencioni Pyjor i Kosovës,  të cilët do të vazhdojnë   procedurat ligjore lidhur me këtë rast.

Policia e Kosovës fton qytetarët që mos të furnizohen me dru nga personat, të cilët nuk posedojnë dokumentacionin përkatës lidhur me këtë veprimtari./Telegrafi/