Telegrafi

Në Prishtinë arrestohet një person i shumë kërkuar

Një aksion i madh është zhvilluar sot në Prishtinë, konkretisht në lagjen Emshir, ku është arrestuar një person i shumë kërkuar.

Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha.

Hoxha tha se aksioni është zhvilluar nga njësitë e specializuara të policisë.

“Ju konfirmoj se sot në orët e pasdites në Prishtinë, Policia e Kosovës, konkretisht FAST-ILECU ka realizuar një operacion në mbështetje edhe të njësive speciale”, tha Hoxha.

Disa media raportuan se personi i arrestuar është shtetasi i Shqipërisë Arben Lamçe.

Edhe Policia e Shqipërisë ka njoftuar se “në sajë të një pune të mirëfilltë profesionale, sot më datë 04.08.2024, nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, Sektori për Kërkimin, Njësia Fast Albania, në bashkëpunim të ngushtë me FAST Kosova, në vijim të shkëmbimeve të informacioneve, në kuadër të operacionit policor ‘GORDONËT’, u bë e mundur kapja dhe arrestimi në Prishtinë, i shtetasit A. L., lindur e banues në Elbasan”.

Sipas Policisë shqiptare “ndaj shtetasit A.L., Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë më datë 29.07.2024, ka caktuar masën e sigurimit, ‘Arrest me burg’, për veprat penale ‘Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje, kryer në bashkëpunimin e veçantë në formën e organizatës kriminale’, ‘Grupi i strukturuar Kriminal’, ‘Organizata kriminale’ dhe ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale’, parashikuar nga nenet 80-28/1-333 dhe 334-287 të Kodit Penal”. /Telegrafi/