Ndeshja kryesore në xhiron e dytë të Superligës së Kosovës, do të zhvillohet sot në kryeqytet.
Kampioni në fuqi i Kosovës, Prishtin do të jetë nikoqir i Ballkanit të Suharekës me fillim nga ora 17:00.
Të dy skuadrat janë pretendente për titullin e kampionit dhe kjo e bën atë një ndeshje shumë interesante.
Prishtina e nisi me barazim 1-1 në udhëtim te Malisheva edicionin e ri, derisa Ballkani nuk arriti më shumë se një pikë 2-2 në përballje me Dukagjinin e Klinës.
Si vendasit ashtu edhe mysafirët duan vetëm tri pikët nga kjo përballje e nxehtë që pritet të zhvillohet nga ora 17:00 në stadiumin ‘Fadil Vokrri’.
Dardan Çaka do ta ndajë drejtësinë në këtë kryendeshje, me ndihmësit Fatlum Berisha e Bujar Selimaj, derisa Visar Kastrati me Elvis Bicajn do të jenë në VAR.
Ndërkohë takimi tjetër i ditës së sotme do të zhvillohet në stadiumin ‘Rexhep Rexhepi’ në Drenas.
Feronikeli që humbi ndeshjen e parë ndaj Dritës, e pret Gjilanin që e nisi me barazim 1-1 te Drenica edicionin e ri.
Kjo ndeshje gjykohet nga Mentor Ajeti me ndihmësit Drilon Rexhepi e Altin Zhegrova. /Telegrafi/