Telegrafi

Prishtina kryen edhe ‘goditjen’ e dytë, nënshkruan me portierin Agron Kolaj

Klubi kryeqytetas, Prishtina ka bërë edhe goditjen e dytë në afatin kalimtar dimëror, duke nënshkruar me portierin e njohur Agron Kolaj.

Prishtina nuk po fle në këtë dimër. Pas nisjes së stërvitjeve para rinisjes së sezonit pranveror, bardhekaltrit kanë bërë disa goditje.

Drejtuesit e Prishtinës arritën marrëveshje me sulmuesin e talentuar Jalen Blesa, i cili shkëlqeu në vjeshtë me Rahovecin në Ligën e Parë, duke shënuar 10 gola në 12 ndeshje.

Megjithatë, Telegrafi mëson se kjo nuk është goditje e vetme e Prishtinës në ditët e fundit.

Sipas burimeve të Telegrafit, Prishtina tashmë ka nënshkruar edhe me portierin e talentuar Agron Kolaj, i cili vjen si lojtar i lirë.

21-vjeçari Kolaj në të kaluarën ka mbrojtur portën e klubeve si Gjakova, Besa dhe Llapi, ndërsa shumë shpejt do të jetë në urdhrat e trajnerit Ismet Munishi.

Si Blesa, ashtu edhe Kolaj pritet që gjatë ditës ose në ditët e ardhshme të zyrtarizohen nga faqja zyrtare e Prishtinës. /Telegrafi/