Sot janë hapur panairet tradicionale, panairi ndërkombëtarë i Turizmit, dhe Sportit si dhe panairi i Edukimit, Karrierës dhe Punës në Palestrën “1 Tetori”, në Prishtinë.
Në këto panaire dëshmohen emocionet e eksplorimit të trashëgimisë së pasur kulturore të Kosovës dhe të rajonit, përvojat emocionuese sportive, shkëmbimin dinamik ndërmjet institucioneve arsimore, studentëve dhe punëdhënësve.
Luan Çabra, kryetar i Federatës Parabocia të Kosovës në një intervistë për Telegrafin tregoi se çfarë do të prezantojnë në këtë panair.
“Federata e Parabocias në këtë panair prezanton pajisjet dhe kush mund ta luaj këtë sport. Faktikisht këtë sport e luajnë personat me dëmtime të rënda muskulare, kështu që ne po prezantojmë pajisjet të cilat duhet me i pas një lojtarë për këtë lojë”, ka thënë Çabra.
Në një tjetër sektor Valdrin Ahmeti, organizator i Wave Camping tha se si çdo vit edhe këtë vit ata do të jenë në kampin e Jalës për të pritur shumë pushues të cilët e duan natyrën dhe detin.
“Ne po prezantojmë pushimet në natyrë. Meqënëse ka shumë të rinj dhe të interesuar për kampingun ne po prezantojmë tendat, që t’i shohin nga afër dhe të marrin informacione më të detajuara edhe për kushtet e kampingut dhe për çmimet e të gjitha”, ka thënë ai.
Brezar Xërxa, menaxher i Telegrafi Jobs theksoi rëndësinë e këtij sektori në panair si dhe çka ofron për vizitorët e saj.
“Pjesë e këtij panairi është dhe Telegrafi Jobs, ku ne do t’i informojnë studentët dhe punëdhënësit për mundësitë e tyre që do t’i kenë në Telegrafi Jobs”, ka thënë Xërxa.
Në kuadër të shërbimeve të Telegrafit fuqizohet edhe pjesa e shëtitjes virtuale, tha Rina Alija, sales manager në Telegrafi.com.
“Përmes një pajisje në të gjithë hapësirën, të cilën çdo biznes apo person e posedon, mund ta kthejmë në shëtitje virtuale”, ka thënë Alija.
Ndërsa, Artur Guni, drejtor i përgjithshëm i Agjencisë për Kulturë dhe Turizëm në Bashkinë e Elbasanit në këtë panair ka prezantuar rivierën turistike të këtij qyteti si dhe traditat nga kohërat e lashta e deri te ballokumet e Elbasanit, të cilat përgatiten për Ditën e Verës.
Panairi në Prishtinë /Foto: Ridvan Slivova/Ndryshe, Panairi Ndërkombëtar i Turizmit dhe Sportit në edicionin e 20-të është mbështetur nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe organizat të shumta. Panairi shërben si një platformë për të shfaqur trashëgiminë e pasur kulturore dhe historike, peisazhet e ndryshme dhe përvojat emocionuese sportive të Kosovës dhe më gjerë. Nga turizmi kulturor dhe historik deri te sportet aventureske, panairi ofron një eksplorim gjithëpërfshirës të të gjitha aspekteve të turizmit dhe sportit.
Ndërsa, edicioni i 16-të i Panairit të Edukimit, Karrierës dhe Punës është ngjarja më e madhe edukative në Kosovë, panairi bashkon edukatorë, institucione dhe profesionistë nga mbarë bota. Duke ofruar një platformë për angazhim të drejtpërdrejtë midis institucioneve arsimore dhe studentëve, panairi paraqet programe, produkte dhe shërbime inovative që formojnë të ardhmen e arsimit. Këtë panair e bën edhe me të veçantë bashkëngjitja e komponentës së Karrierës dhe Punës, “Thirrje për të gjithë studentet që kanë nevojë për pune praktike dhe për të gjithë punëkërkuesit!” Bëhuni gati për të hedhur hapin tjetër në rrugëtimin tuaj të karrierës dhe punës në Panairin e Edukimit, Karrierës dhe Punës 2024″.
Kompania CEO – Congress and Event Organisation është organizator i të gjithë panaireve. /Telegrafi/