Site icon Telegrafi

Prindërit e ushtarëve izraelitë i bëjnë thirrje IDF-së ta anulojë sulmin në “kurthin e vdekjes”

Prindërit e më shumë se 900 ushtarëve izraelitë kanë nënshkruar një letër ku i kërkojnë ushtrisë ta anulojë ofensivën në Rafah, pasi sipas tyre ajo është “një kurth vdekjeprurës” për fëmijët e tyre.

“Është e qartë se pas muajsh paralajmërimesh në lidhje me ofensivën në Rafah, edhe në anën tjera ka forca që po përgatiten për të sulmuar trupat tona”, thuhet në letër.

“Djemtë tanë janë rraskapitur fizikisht dhe psiqikisht”, shton letra drejtuar Ministrit izraelit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, dhe shefit të IDF-së, gjeneralit Herzi Halevi.

Bëhet e ditur se atë e kanë firmosur fillimisht rreth 600 prindër, por së fundmi është firmosur edhe nga 300 të tjerë.

Ndryshe, më shumë se 350 mijë palestinezë janë larguar nga Rafahu pas paralajmërimeve izraelite për evakuim përpara një sulmi ushtarak, shkruan the Guardian, përcjell Telegrafi.

Pavarësisht paralajmërimeve të SHBA-së, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, është zotuar të vazhdojë me operacionet e tij ushtarake në jug të Gazës, në një përpjekje për ta shpërbërë Hamasin.

Lexo po ashtu Alarmon Blinken: Në Gazë janë vrarë më shumë civilë se terroristë

“Rafahu është një kurth vdekjeje. Hamasi ka pasur shumë kohë për t’u përgatitur për vrasjen e ushtarëve tanë. Jemi shumë të shqetësuar”, tha Anat, nëna e një ushtari të forcave speciale izraelite.

“Në muajt e parë të luftës ne e mbështetëm të gjithë operacionin. Nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të luftohej. Por muajt e fundit, ne e kemi kuptuar se nuk ka një plan të qartë”, shtoi ajo.

Siç raportohet, IDF ka thirrur rreth 360 mijë rezervistë për t’iu bashkuar në betejën kundër Hamasit.

Që nga fillimi i luftës më 7 tetor të vitit 2023 kanë mbetur të vdekur më shumë se 34,500 palestinezë dhe janë shkatërruar banesa, spitale, xhami dhe shkolla.

Edhe pse letra e prindërve të ushtarëve i është dorëzuar autoriteteve izraelite, ato nuk iu përgjigjën asaj.

Megjithatë, gjatë një ceremonie përkujtimore në Jerusalem, Halevi tha se ai ishte përgjegjës për t’i kthyer përgjigje familjeve që iu janë vrarë fëmijët.

“Unë jam komandanti që i dërgova djemtë dhe vajzat tuaja në betejë nga e cila nuk u kthyen kurrë. Unë mbaj me vete çdo ditë kujtimin e të rënëve dhe jam përgjegjës për t’iu përgjigjur pyetjeve që ju mbajnë zgjuar”, tha gjenerali. /Telegrafi/

Exit mobile version