Site icon Telegrafi

Prigozhin nga rajoni rus, Rostov: Aeroporti dhe objektet ushtarake janë nën kontrollin tonë

Shefi i grupit mercenar, Wagner, Yevgeny Prigozhin deklaroi se forcat që drejton tashmë kontrollojnë objektet kryesore ushtarake në qytetin jugor rus, Rostov-on-Don.

“Objektet ushtarake të Rostovit, përfshirë aeroportin, janë nën kontrollin tonë”, tha Prigozhin në një video të publikuar në rrjetet sociale.

Ai tha se forcat e tij kontrollojnë selinë e ushtrisë ruse në jug të vendit në një qytet me mbi një milion banorë në zonën kufitare me Ukrainën.

Ministria e Mbrojtjes së Rusisë nuk ka komentuar ende pretendimet e kreut të Wagnerit ndërsa është paralajmëruar se kombit rus do t’iu drejtohet presidenti Vladimir Putin.

Lexo po ashtu Prigozhin ia mësyn Moskës, merr nën kontroll qytetin rus Rostov-on-Don

Prigozhin tha gjithashtu në video se aeroplanët luftarakë vazhduan të ngriheshin nga aeroporti i Rostovit siç ishte planifikuar, “Aeroplanët … do të ngrihen siç ishte planifikuar drejt caqeve ukrainase”.

Prigozhin pretendoi më parë se ushtarët rrëzuan një helikopter ushtarak që po qëllonte në një kolonë civile. Ai nuk dha prova dhe ato nuk mund të verifikoheshin në mënyrë të pavarur. /Telegrafi/

Exit mobile version