Gjatë ditës së shtunë në veri të vendit është parë prezencë e shtuar e ushtarëve amerikanë të KFOR-it, që shërbejnë në Kosovë.
Nga Zyra për Media e KFOR-it në një përgjigje me shkrim për Telegrafin, kanë deklaruar se kanë ndërmarrë disa masa për të reaguar me shpejtësi ndaj çdo sfide të sigurisë.
Në përgjigjen e tyre thuhet se “për të rritur vetëdijen tonë për situatën, Komanda Rajonale e KFOR-it në Lindje ka rritur praninë e saj në afërsi të pikave të kalimit Jarinjë dhe Bërnjak, ka krijuar disa pika të kontrollit të trafikut dhe gjithashtu ka rritur aktivitetin e saj patrullues në këtë zonë së bashku me MSU-në e Karabinierëve (Njësia e Specializuar Shumëkombëshe) dhe EULEX-in”.
“Mandati i misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, është të sigurojë një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit në Kosovë. Për të përmbushur detyrat e veta, KFOR-i mban një qëndrim të dukshëm dhe të shkathët në terren”.
Në fund, KFOR-i u ka bërë thirrje të gjithëve që të shmangin veprimet e njëanshme dhe të përmbahen nga dhuna.
“Ne dëshirojmë t’i sigurojmë të gjithë që KFOR-i është i gatshëm të ndërhyjë nëse është e nevojshme për të ruajtur mjedisin e sigurt dhe lirinë e lëvizjes!”.
Rritjen e prezencës së trupave në këtë zonë e kishte konfirmuar edhe shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, më herët gjatë kësaj jave.
Në veri të Kosovës më 31 korrik dhe 1 gusht u rritën tensionet, pasi serbët lokalë ngritën barrikada për të kundërshtuar dy vendime të Qeverisë së Kosovës: atë për targat dhe dokumentet serbe.
Barrikadat u hoqën, por NATO ka përsëritur se KFOR-i është i gatshëm të ndërhyjë, nëse rrezikohet stabiliteti. /Telegrafi/