Site icon Telegrafi

Prezantohet aeroplani më i madh autonom elektrik në botë për transportimin e mallrave

Teknologjia e automjeteve plotësisht autonome po përparon gjithnjë e më shumë dhe dronët tashmë po përdoren për një sërë qëllimesh.

Megjithatë, tani është prezantuar një aeroplan autonom elektrik për transportimin e mallrave, transmeton Telegrafi.

Fjala është për aeroplanin Pelican Cargo, i prodhuar nga kompania Pyka, që në fakt është aeroplani më i madh elektrik për transportimin e mallrave si dhe i pari autonom në kategorinë e vet.

Kompania Pyka me seli në Kaliforni është e fokusuar në teknologjinë e automjeteve autonome, ka prezantuar së fundmi aeroplanin autonom për spërkatjen e pesticideve të quajtur Pelican Sprayer.

“E projektuam këtë aeroplan për të eliminuar emetimet e CO2 nga zinxhiri i logjistikës, duke ofruar shpejtësi dukshëm më të lartë në krahasim me transportin tokësor, ndërsa kostot e funksionimit janë një pjesë e transportit ajror konvencional”, tha Michael Norcia, drejtor ekzekutiv dhe bashkëthemelues i Pyka.

Pelican Cargo ka një rreze prej 321 kilometrash dhe mund të transportojë pak më shumë se 180 kilogramë ngarkesë. Përdor një bateri litium-jon 50 kËh si dhe katër motorë elektrikë që prodhojnë 33,5 kuaj fuqi.

Aeroplani përdor gjithashtu bateri shtesë për të arritur një nivel të lartë sigurie duke eliminuar mundësinë e dështimeve teknike individuale.

Ka përmasa kompakte, është 7.3 metra i gjatë dhe 2.1 metra i lartë, ndërsa krahët e tij janë 11.5 metra.

Fluturakja ka nevojë për një pistë të shtruar me zhavorr apo bari, me përmasa prej vetëm 183 x 15 metra për operim.

Aeroplani mund të arrijë një shpejtësi midis 148 dhe 167 km/h, dhe falë specifikimeve të tij, mund të përdoret në vende me më pak mbështetje infrastrukturore. /Telegrafi/

 

Exit mobile version