Telegrafi

Pretendonin se kishin shkatërruar tanket Leopard, ukrainasit përgënjeshtrojnë rusët – doli se kishin goditur kombajna dhe makineri tjera bujqësore

Më 6 qershor, Ministria ruse e Mbrojtjes publikoi një video, që pretendonte të tregonte shkatërrimin e parë të tankeve gjermane Leopard, gjatë një tentative kundërsulmuese të supozuar nga Forcat e Armatosura të Ukrainës.

Ministria pretendon se pamjet e realizuara nga helikopteri rus, tregojnë lëshimin e raketave të drejtuara ndaj mjeteve të blinduara të ukrainasve, transmeton Telegrafi.

Sipas Ministrisë ruse të Mbrojtjes, më 5 qershor në drejtim të Donetskut, njësitë e grupit Vostok zmbrapsën sulmet nga Forcat e Armatosura të Ukrainës, duke shkatërruar mbi 1500 ushtarë ukrainas dhe 28 tanke, duke përfshirë tetë Leopardë dhe AMKS-10RC me tre rrota.

Mirëpo, Rusia si gjithnjë vazhdon me propagandën dhe fshehë të vërtetë. Në rrjetet sociale u shfaqën pretendime se gjatë aksionit nuk u shkatërruan tanke gjermane Leopard, por makina bujqësore.

Edhe lideri i Wagner-it, Yevgeny Prigozhin, i cili dihet se nuk ka marrëdhënie të mira me kreun e ushtrisë ruse, shprehu dyshime për pretendimet dhe të dhënat e Ministrisë së Mbrojtjes.

“I dashur Yevgeny Viktorovich, dje Ministria e Mbrojtjes pretendoi se kishte shkatërruar mbi 1500 ushtarë ukrainas, 28 tanke, mes tyre 8 leopardë gjermanë, 3 tanke franceze AMKS-10 me rrota dhe 109 automjete të blinduara. Disa besojnë se këto shifra janë të ekzagjeruara. Si do të vlerësoni humbjet”, pyeti gazetari Prigozhinin.

“Unë mendoj se Baroni von Munchausen është shumë prapa. Bazuar në atë që është shkruar për humbjet që ua kemi shkaktuar, së shpejti do të lihemi të luftojmë me jashtëtokësorë. Për të shkatërruar 1500 njerëz do të duhej të ishte një gjakderdhje e tillë në një shtrirje prej 150 kilometra – Është e paimagjinueshme. Duke thënë kështu, unë mendoj se e gjitha është e sajuar në mënyrë çmendurore. Në përgjithësi, duhet të shtohen të gjitha numrat që paraqiti Konashenkov – mendoj se ne e kemi shkatërruar të gjithë popullsinë e Tokës pesë herë deri më tani”, u përgjigj Prigozhin.

Edhe Anton Gerashchenko, këshilltar i ministrit të Brendshëm të Ukrainës, tha se bëhet fjalë për maketa të kombajnave dhe makinerive tjera bujqësore që janë prej gome dhe mbushen me ajër. /Telegrafi/