Telegrafi

Presidentja Vjosa Osmani pritet me pankartë me shkronja cirilike nga maqedonasit

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë ditës së sotme ishte për vizitë në Tetovë nga ku iu nda çmimi “Çelësi i Qytetit”.

Pritja e presidentes Vjosa Osmani ishte nga kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ndërsa gjatë qëndrimit të saj në Tetovë, presidentja vizitoi shkollën “Liria” në të cilën ka mësuar gjatë qëndrimit të saj si refugjate në periudhën e luftës dhe Xhaminë e Larme.

Edhe pse tetovarët me entuziazëm pritën vizitën e presidentes Osmani, vizita e saj nuk ka gëzuar një pjesë të qytetarëve të cilët në hyrje të qytetit kanë vendosur pankartë me shkronja cirilike ku përmendet Tetova dhe emri i vjetër Maqedonisë së Veriut. Në hyrje të qytetit po ashtu kishte pankartë të madhe ku në sfond shihet flamuri i Kosovës dhe ku i urohet mirëseardhje presidentes Vjosa Osmani.

Qëndrimin e saj në Tetovë, presidentja e Kosovës e përmbylli me vizitë në Universitetin e Tetovës, ku edhe mbajti ligjëratë në temën: “Sfidat rajonale politike dhe të sigurisë”./Telegrafi/