Telegrafi

Presidentja Vjosa Osmani në përkrahje të sportistëve të Kosovës në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani është parë në shkallët e stadiumit Olimpik, aty ku ka filluar ceremonia hapëse e Lojërave Olimpike “Tokio 2020”.

Lojërat Olimpike “Tokio 2020” janë hapur zyrtarisht me një ceremoni e cila ka filluar nga ora 13:00.

Pas një spektakli të krijuar me fishekzjarrë dhe flakadanë, radha i erdhi edhe parakalimit të shteteve.

Ekipi olimpik i Kosovës parakaloi si shteti i 67-të, i prirë nga bajraktarët Majlinda Kelmendi dhe Akil Gjakova.

Lexo po ashtu Ekipi i Kosovës parakalon në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike “Tokio 2020”

Në shkallët e stadiumit në përkrahje të ekipit të Kosovës ishte edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

Osmani u pa duke përkrahur ekipin olimpik me një flamur të Kosovës në duar.

Presidentja e vendit ka reaguar disa minutë më vonë edhe në profilin e saj privat në Facebook.

Ajo ka shkruar se është nder dhe krenari ta shoh parakalimin e 11-të sportistëve të Kosovës, të cilët po marrin pjesë në Lojërat Olimpike në Tokio. /Telegrafi/