Site icon Telegrafi

Osmani viziton Odën Ekonomike Amerikane, potenciali ekonomik dhe fuqizimi i dialogut publiko-privat, temë diskutimi

Promovimi i koordinuar i potencialeve ekonomike të Kosovës dhe fuqizimi i dialogut publiko-privat, ishin në thelb të diskutimit gjatë një takimi që presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, mbajti me strukturat udhëheqëse të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë.

Duke folur para anëtarëve të Bordit të Guvernatorëve dhe anëtarëve të Këshillit Drejtues të Qendrës së Arbitrazhit të Odës Amerikane, presidentja Osmani theksoi rëndësinë e dialogut publiko-privat si proces në të mirë të Kosovës e në shërbim të zhvillimit ekonomik të Kosovës.

Në ndërlidhje me këtë, ajo inkurajoi përfshirjen aktive të sektorit privat përmes ofrimit të rekomandimeve konkrete.

Referuar njoftimi të OEAK ajo tutje tha se dera e Zyrës së Presidentes do të jetë përherë e hapur për përfaqësuesit e sektorit privat, duke demonstruar vullnetin e saj për përkrahje dhe përpjekje të koordinuara.

Presidentja tha se duke e fuqizuar sektorin privat në vend, e bëjmë atë edhe më atraktiv në aspektin e punësimit.

Duke folur për popullsinë e Kosovës, e cila vijon të jetë popullsia më e re në moshë në Kosovë, Presidentja Osmani tha se kapitali njerëzor është aseti më i rëndësishëm i Kosovës.

Në ndërlidhje me këtë, Presidentja theksoi nevojën e investimit në zhvillimin e vazhdueshëm të kapitalit njerëzor. Presidentja foli edhe për rolin dhe kontributin e jashtëzakonshëm të mërgatës në zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Në takimin në të cilën morën pjesë edhe përfaqësues të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Agjencisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Presidentja Osmani, foli edhe kontributin e tejçmuar të SHBA-së në fuqizimin ekonomik por edhe subjektivitetit ndërkombëtar, përfshirë edhe anëtarësimin në organizata të rëndësishme e konventa ndërkombëtare.

Duke folur për sektorin e drejtësisë në vend, Presidentja tha se progresi në aspektin ekonomik e social, do të duhej përcjellë edhe me fuqizimin e vazhdueshëm të sektorit të drejtësisë, si në aspekt të profesionalizmit, ashtu edhe në atë të integritetit, në mënyrë që sektori privat dhe segmentet e tjera të shoqërisë të mund të rrisin besimin në institucionet e drejtësisë dhe promovimin e parashikueshmërisë ligjore.

Presidentja Vjosa Osmani Sadriu foli edhe për rëndësinë e koordinimit të përpjekjeve për promovimin e potencialeve për investime në Kosovë. /Telegrafi/

Exit mobile version