Telegrafi

Presidentja Osmani organizoi Darkën e Lamës në Shtëpinë e të Moshuarve

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka organizuar ceremoninë tradicionale Darka e Lamës, e cila sonte është mbajtur në “Shtëpinë e të moshuarve” në Prishtinë, në të cilën ka marr pjesë edhe kryeministri Kurti.

Presidentja Osmani përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “Darkën e Lamës, festën tonë tradicionale, të cilën e organizojmë në përfundim të të korrave, sivjet e shtruam për më të dashurit tanë, të moshuarit, të cilët qëndrojnë në ‘Shtëpinë e të moshuarve’ në Prishtinë, për t’ua shprehur mirënjohjen e respektin tonë të thellë për ta.

​“Duke e shtruar sofrën e bukës me ta, ne treguam solidaritetin tonë për gjithë ata breza, të cilët i mblodhën bereqetet e kësaj toke, duke e mbajtur gjallë jetën tonë të përbashkët”, ka thënë Osmani, transmeton Telegrafi.

​“Ata meritojnë më shumë se çdonjëri që t’ua shprehim mirënjohjen tonë”, ka thënë ajo.

Në Darkën e Lamës, organizuar nga presidentja  Osmani, mori pjesë edhe kryeministri Kurti.

“Kjo darkë, që tradicionalisht organizohet në përfundim të të korrurave, në fund të muajit tetor, sonte u shtrua në Shtëpinë e të Moshuarve në Prishtinë, në shenjë mirënjohje e respekti për banorët e kësaj shtëpie”, ka shkruar Kurti në Facebook. /Telegrafi/