Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po qëndron për vizitë zyrtare në SHBA.
Ajo ka publikuar fotografi dhe video nga pritja që i është bërë nga ushtria amerikane në akademinë ushtarake West Point.
Osmani ka thënë se është jashtëzakonisht e nderuar me pritjen madhështore që i është bërë.
“Jashtëzakonisht e nderuar me pritjen madhështore nga ushtria amerikane në akademinë ushtarake West Point! ”
“Himni i Republikës së Kosovës në akademinë ushtarake më me ndikim të SHBA-së – vendi ku shumë nga ushtarët tanë janë trajnuar për ta mbajtur Republikën tonë më të sigurt për të gjithë!”, ka shkruar Osmani.
Presidentja Osmani ka udhëtuar të enjten për në New York, ku në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të sesionit të 79-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara do të zhvillojë takime me liderë botërorë, organizata ndërkombëtare, si dhe aktivitete tjera zyrtare.
Përgjatë kësaj vizite, Presidentja në takime me homologët e saj do të diskutojë për zhvillimet e fundit në Kosovë, përkushtimin e Republikës së Kosovës për ta forcuar pozitën ndërkombëtare të saj, si dhe thellimin e raporteve me shtete të tjera në përfitim të qytetarëve tanë.
Në njoftim thuhet se ajo po ashtu do të marrë pjesë edhe në aktivitete e diskutime të shumta të organizuara nga shtetet aleate.
Në agjendën e Presidentes Osmani do të jenë edhe një sërë aktivitetesh të përbashkëta me mërgatën shqiptare në Amerikë si dhe disa nga shoqatat të cilat e zhvillojnë aktivitet në SHBA./Telegrafi/