Site icon Telegrafi

E hëna, ditë zie në nderim të policit të vrarë

Presidentja Osmani e shpalli të hënën ditë zie shtetërore në nderim të policit të vrarë, Afrim Bunjaku.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në mbështetje të Kushtetutës së Kosovës, ka marrë vendim që dita e hënë, 25 shtator 2023, të shpallet ditë zie, shtetërore në nderim të policit Afrim Bunjaku, i vrarë në veri të vendit.

Zija shtetërore do të jetë gjatë ditës së hënë, ndërkaq Protokolli i Shtetit ngarkohet që t`i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi.

Ndryshe një pjesëtar i policisë së Kosovës mbeti i vrarë dhe të paktën dy të tjerë u plagosën pas një sulmi terrorist në në veri të vendit.

Policia tha së në orët e hershme të mëngjesit njësitë e saj për reagim të shpejtë vunë re vendosjen e dy kamionëve të tonazhit të rëndë në urën në hyrje të fshatit Banjskë.

Dy kamionët pa targa kishin bllokuar lëvizjen.

Tre njësi të policisë që shkuan në vendin e ngjarjes u qëlluan me armë zjarri përfshirë bombat e dorës dhe armë të tjera të rënda, duke bërë që një polic i Kosovës të vritet dhe një tjetër të plagoset.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla tha në mbrëmje se situata është vënë nën kontroll. Ai tha se tre nga sulmuesit janë vrarë, ndërsa janë arrestuar gjashtë persona, dy prej të cilëve të plagosur që ishin me uniforma dhe të armatosur, ndërsa katër të tjerë u gjetën me radiolidhje, që sipas policisë dyshohet se ishin në kontakt me grupin sulmues./Telegrafi/

Exit mobile version