Site icon Telegrafi

Presidentja moldave, Sandu: Sulmet e fundit në Transnistria, janë përpjekje për përshkallëzim të tensioneve

Disa shpërthime u dëgjuan gjatë ditës së sotme në rajonin e shkëputur moldav të Transnistrias.

Presidentja moldave, Maia Sandu ka fajësuar “fraksionet pro-luftë” brenda territorit dhe paralajmëroi se seria e fundit e sulmeve në rajonin e shkëputur të mbështetur nga Rusia, janë një përpjekje për të përshkallëzuar tensionet.

Duke folur në një konferencë shtypi, Sandu tha se nuk e ka në plan të flas me Kremlinin për incidentet e 24 orëve të fundit, të cilat përfshinin një sulm në ndërtesën e ministrisë së Brendshme të Transnistrias, raporton skynews.

Në fillim të këtij muaji, shtabi i përgjithshëm i forcave të armatosura të Ukrainës njoftoi se trupat ruse po grumbulloheshin në republikën e vetëshpallur të Transnistrias dhe po përgatiteshin të kryenin “provokime” përgjatë kufirit.

Por si autoritetet moldave, ashtu edhe ato separatiste të Transnistrias e mohuan këtë pretendim.

Ndryshe, Transnistria është një territor i shkëputur nga Moldavia, i cili kufizohet me Ukrainën dhe përfshin 12 për qind të territorit moldav.

Kujtojmë se pavarësia e vetëshpallur nuk njihet nga Moldavia apo komuniteti ndërkombëtar.

Ai është në linjë me Rusinë dhe është shtëpia e një regjimenti prej rreth 1000 ushtarësh rusë. /Telegrafi/

Exit mobile version