Telegrafi

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta priti xhudistët e Kosovës: Janë motiv krenarie dhe frymëzim për të rinjtë shqiptarë

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka pritur xhudistët e Kosovës, të cilët janë treguar të suksesshëm në arenën ndërkombëtare.

Përmes një postimi në Facebook, Meta ka thënë se Majlinda, Distria, Nora, Erza, Akili, Shpati e shumë sportistë të tjerë janë motiv krenarie dhe model suksesi e frymëzimi për fëmijët e të gjithë të rinjtë shqiptarë.

“Një takim i ngrohtë me krenarinë e sportit shqiptar, Majlinda Kelmendi dhe kampionët e xhudos nga Kosova, Shpat Zeka, Erza Muminoviq e Akil Gjakova dhe trajnerin e tyre të mirënjohur Driton Kuka, ambasadorët e shkëlqyer të vlerave më të mira njerëzore e sportive të kombit shqiptar në botë”.

“I’u urova shumë suksese në stërvitjen që kanë nisur për Lojrat Olimpike “Tokyo 2020”, besimplotë se do arrijnë të ngrenë lart flamurin e Kosovës”.

“Majlinda, Distria, Nora, Erza, Akili, Shpati e shumë sportistë të tjerë janë motiv krenarie dhe model suksesi e frymëzimi për fëmijët e të gjithë të rinjtë shqiptarë”, shkruan Meta.