Telegrafi

Presidenti palestinez refuzon telefonatën me Trump

Presidenti palestinez Mahmoud Abbas ka refuzuar një kërkesë të presidentit amerikan Donald Trump për të zhvilluar bisedë telefonike, tha një zyrtar, transmeton Anadolu Agency (AA).

Trump e ka bërë kërkesën disa ditë më parë, tha zyrtari, i cili kërkoi të ngelet anonim.

Javën e kaluar, Shtëpia e Bardhë njoftoi se Trump do të takohet të martën me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe rivalin e tij nga zgjedhjet Benny Gantz, i cili kryeson partinë e qendrës Blu dhe Bardhë. Ata do të diskutojnë perspektivën e marrëveshjes së tij të diskutueshme mbi Lindjen e Mesme, e ashtuquajtur si “Marrëveshja e Shekullit”.

Abbas në disa raste ka shprehur refuzimin e tij ndaj planit të SHBA-së, pasi ajo nuk trajton çështjen e Kudsit, refugjatëve dhe kufijve.

Kanali 12 dhe 13 i Izraelit kanë thënë se plani i Trump-it do të njohë sovranitetin e Izraelit mbi pothuajse të gjitha vendbanimet në Bregun Perëndimor të pushtuar, të cilat janë të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar.

Kjo do të zhvendoste në mënyrë efektive kufirin izraelit të njohur nga SHBA më tej në lindje në territorin palestinez dhe sovraniteti i Izraelit do të njihej në gjithë Kudsin, të cilin palestinezët e kërkojnë si kryeqytetin e shtetit të tyre të ardhshëm.

Siç është raportuar, plani gjithashtu do të njohë një shtet palestinez të demilitarizuar në një kohë të mëvonshme, por zyrtarët palestinezë thuhet se nuk do ta pranojnë planin, i cili, sipas Kanalit 12, do të kërkojë gjithashtu çarmatimin e Hamasit dhe njohjen palestineze të Kudsit si kryeqytet i Izraelit.

Nëse plani zbulohet këtë javë, kjo do të ndodhte në një kohë kur Trump po hetohet nga ana e Senatit në procesin e “fajësimit”, ndërsa parlamenti izraelit voton në lidhje me imunitetin e Netanyahut për tri raste hetimi për përfshirje në korrupsion.