Situata në veri të Kosovës është bërë temë kryesore edhe e liderëve të rajonit.
Së fundmi për këtë gjë ka folur edhe presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq.
Ai në një intervistë për gazetën austriake “Der Standard”, ka thënë se sulmi që ndodhi ndaj ushtarëve të KFOR-it, është i papranueshëm.
“Sulmi ndaj ushtarëve të KFOR-it është absolutisht i papranueshëm. Në fund të fundit, këta ushtarë kanë bërë një punë mjaft të mirë në mbrojtjen e një pjese të trashëgimisë së Kishës Ortodokse serbe në Kosovë”, ka thënë Milatoviq.
Milatoviq ka theksuar se për të përmirësuar situatën në veri të Kosovës, duhet të mbahen zgjedhjet e reja dhe të themelohet Asociacioni.
“Për të përmirësuar situatën duhet të mbahen zgjedhje të reja në komunat veriore të Kosovës, dhe duhet të themelohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe”, u shpreh Milatoviq.
I pyetur se çfarë duhet të bëhet fillimisht, presidenti malazez ka shtuar se duhet të mbahen zgjedhjet. /Telegrafi/