Telegrafi

Presidenti Kroat: Shqipëria duhet të ishte në një stad shumë më të lartë integrimi në raport me BE-në

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, diskutoi me presidentin kroat Zoran Milanoviq për marrëdhëniet mes dy vendeve, situatën në rajon dhe rrugën evropiane të Shqipërisë pasi vendi filloi zyrtarisht negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian vitin e kaluar.

“Për mendimin tim, Shqipëria duhet të ishte në një stad shumë më të lartë integrimi në raport me Bashkimin Evropian shumë kohë më parë. Nuk kishte asnjë arsye reale, politike, sigurie apo edhe ekonomike që Shqipëria të mos ishte në fund të negociatave tani…”, ka thënë tha presidenti Milanoviq në konferencën për media pas pritjes që i bëri Begajt në Zagreb, përcjell Telegrafi.

“Ky është padyshim një problem në Evropën Perëndimore. Ky është një fakt, kundër këtij fakti nuk mund të luftohet me asgjë tjetër përveç fjalëve, shtoi ai. Nëse nuk e ndihmojmë Shqipërinë të bëhet sa më shpejt pjesë e Perëndimit, do të vijë dikush tjetër”, theksoi ai.

Lexo po ashtu Presidenti kroat: Serbia në pozitë politike skizofrenike, interesi ynë dhe i Shqipërisë është normalizimi i marrëdhënieve Prishtinë-Beograd

“Edhe pse pak kërkohet nga Kroacia, ajo do të vazhdojë të ndihmojë në rrugën evropiane të Shqipërisë”, theksoi Milanoviq.

Vende të tilla si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut duhet të ishin anëtarësuar tashmë në Bashkimin Evropian, përfundoi ai.

Ndërsa duke folur për pritjet pas fitores së Jakov Milatoviqit në zgjedhjet në Mal të Zi, Milanoviq ka thënë se “ai ka bashkëpunuar mirë me (Milo) Gjukanoviqin”.

“E përgëzova për fitoren e tij, por do të duhet t’i përmbushë shpejt premtimet e tij. Mali i Zi është anëtar i NATO-s dhe këto janë obligime që duhet të përmbushen”, ka thënë Milanoviq. /Telegrafi/