Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në një ceremoni të veçantë ia ka dorëzuar flamurin shtetëror të ekipit olimpik që do ta përfaqësojë Kosovën në Lojërat Olimpike ‘Tokio 2020’.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin shumë personalitete të larta nga institucionet shtetërore si deputet, ministra e zëvendësministra, përfaqësues të ambasadave të huaja si dhe personalitet nga jeta kulturore e fetare në Kosovë.
Me këtë rast, presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, tha se Kosova si shtet i ri shumë shpejtë u bë pikë referimi në të gjithë botën duke i falënderuar xhudistët Majlinda Kelmendi, e cila e fitoi medaljen e Artë në Lojërat Olimpike ‘Rio 2016’.
Sipas Krasniqit, kjo nuk ishte diçka e rastësishme sepse një punë e jashtëzakonshme në këtë drejtim u bë nga trajneri ndërkombëtar i xhudos, Driton Kuka.
“Faleminderit Majlinda që na e hape rrugën, na bëre të ndihemi krenarë që jemi shtet dhe që kemi medalje ari për të cilën mbi 100 shtete të botës ende e ëndërrojnë një medalje të tillë përkundër historisë dhe popullsisë dhjetëfish më të madhe se ne”.
“Pesë vite më pas gjërat kanë ndryshuar, mirëpo kanë ndryshuar pozitivisht sepse ekipi ynë është rritur nga tetë sa kishim në Rio, tani i kemi 11 sportistë nga sporte të ndryshme në Tokio 2020”.
“Nga dy norma olimpike të cilat i kemi pasur, i kemi gjashtë norma olimpike e që rrjedhimisht na shtyjnë të besojmë se të gjithë këta janë potencial për medalje”, ka deklaruar Krasniqi.