Presidenti indonezian Joko Widodo thotë se i ka dërguar një mesazh nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky udhëheqësit rus Vladimir Putin.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Widodo u takua të mërkurën me presidentin ukrainas në një vizitë në Kiev dhe sot ka qenë në Moskë për një takim me Putinin.
“Unë i përcolla mesazhin e presidentit Zelensky, presidentit Putin”, tha Widodo pas bisedimeve në Moskë.
Ai nuk zbuloi se çfarë thoshte mesazhi, por shtoi se ka shprehur “gatishmërinë” e tij për të ndihmuar në fillimin e komunikimit midis dy liderëve.
Widodo ka thënë se Indonezia do të vazhdojë të bashkëpunojë me Rusinë dhe nga ana tjetër Putin u tha gazetarëve se Rusia është e gatshme të përmbushë nevojën e Indonezisë për plehra – furnizimi i të cilave është prekur nga lufta në Ukrainë dhe sanksionet perëndimore.
Udhëheqësi indonezian është presidenti aktual i grupit të kombeve G20 dhe anëtar i një grupi krize të Kombeve të Bashkuara, i krijuar për të trajtuar kërcënimin e urisë globale që rezulton nga lufta.
Widodo e ka ftuar Zelenskyn në samitin e G20 të nëntorit në Bali. Dhe AFP raporton se presidenti ukrainas i tha Widodos se pjesëmarrja e tij do të varej nga kush tjetër do të ishte atje – Rusia është anëtare e G20 dhe si e tillë pritet që Putini të marrë pjesë. /Telegrafi/