Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeir pretendon se kolegu i tij polak i ka propozuar një udhëtim të përbashkët në Ukrainë, së bashku me zyrtarët e tjerë si shenjë solidariteti, por duket se një gjë e tillë “nuk është mirëpritur në Kiev”.
Komentet e sotme të presidentit gjerman gjatë vizitës pasuan pasi që e përditshmja gjermane Bild, ka cituar një diplomat të paidentifikuar ukrainas i cili ka thënë se Steinmerir nuk është i mirëseardhur në këto momente në Kiev, për shkak të kaluarës se ka pasur lidhje të afërta me Rusinë, transmeton Telegrafi.
Steinmeier ka deklaruar se presidenti polak Andrzej Duda, i kishte propozuar të udhëtojnë në kryeqytetin ukrainas së bashku me presidentët e Lituanisë, Estonisë dhe Latvisë për të dërguar një “sinjal të fortë” të Evropës së bashkuar, duke u solidarizuar me Ukrainën.
Presidenti gjerman javën e kaluar pranoi se ka pasur gabime në politikë karshi Rusisë dhe pozicionit që dikur e kishte ushtruar si ministër i Jashtëm i Gjermanisë.
Ai ishte dy herë ministër i Punëve të Jashtme i Gjermanisë, në administratat e kaluara të ish-kancelares Angela Merkel, ku në mandatin e fundit ka qenë gjatë periudhës 2013-2017, e përpara kësaj ka qenë shef i personelit të ish-kancelarit Gerhard Schroeder.
Asokohe Gjermania këmbëngulte për dialog me presidentin rus Vladimir Putin dhe ishin pro lidhjeve të ngushta energjetike me Rusinë. /Telegrafi/