Site icon Telegrafi

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino nesër vjen në Kosovë, ai do të mirëpritet edhe nga krerët shtetërorë

Për herë të parë për vizitë në Kosovë, të premten, do të qëndrojë presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino.

Ai vjen në vendin tonë me ftesë të presidentit Agim Ademi, teksa krahas takimeve me drejtuesit e FFK-së dhe me komunitetin e futbollit, do të ketë takime edhe me krerët e institucioneve shtetërore.

Infantino vjen në Kosovë për të parë nga afër progresin e bërë në futbollin kosovar, falë projekteve dhe programeve të përbashkëta me FIFA-n, por edhe për t’i dhënë shtysë investimeve të reja në vendin tonë, me qëllim të krijimit të kushteve sa më të mira për zhvillimin e futbollit në të ardhmen.

Numri një i futbollit botëror do të mirëpritet edhe nga presidentja e shtetit, Vjosa Osmani Sadriu, kryeministri Albin Kurti, ministri i sportit, Hajrulla Çeku dhe nga kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama.

Presidenti Infantino në vazhdimësi ka treguar respekt të madh për futbollin e Kosovës dhe për punën e FFK-së në krye me presidentin Ademi.

Ai që nga anëtarësimi i Kosovës në FIFA ka qenë mbështetës i të gjitha projekteve në të cilat ka aplikuar FFK në programet investuese të FIFA-s, prandaj vizita e tij dëshmon simpatinë dhe respektin që ai ka për Kosovën dhe për kreun e FFK-së. /Telegrafi/ 

Exit mobile version