Site icon Telegrafi

Presidenti i Federatës së Italisë, Gravina: Sezoni i Serie A suspendohet vetëm nëse një lojtar infektohet me coronavirus

Presidenti i Federatës së Futbollit të Italisë, Gabriele Gravina ka thënë se nuk do të përjashtonte suspendimin e këtij sezoni në Serie A vetëm nëse një lojtar infektohet me coronavirus.

Të dhënat e fundit zyrtare nga qeveria italiane bëjnë të ditur se 5,061 persona kanë rezultuar pozitiv në testet për virusin vdekjeprurës, derisa 233 persona kanë ndërruar jetë.

Të gjitha evenimentet sportive do të zhvillohen me dyer të mbyllura deri më 3 prill, derisa nuk ka zhvillim pozitiv të rrethanave.

“Nëse një lojtar nga Serie A infektohet me coronavirus, atëherë nuk e përjashtojmë mundësinë e suspendimit të këtij sezoni”, ka thënë Gravina në një intervistë për Rai Sport.

“Duhet të jemi real dhe t’i marrim të gjitha masat e nevojshme rreth shëndetit të atletëve tanë, e më pas të shikojmë rrethanat e tjera”.

Lexo po ashtu Klubet italiane nga mbyllja e dyerve humbin miliona euro, Juventusi klubi që pëson më shumë

“Nuk mund të përjashtojmë asgjë për tani, ne duhet të ëndërrojmë për një situatë më të mirë dhe më pas të reflektojmë mbi të”, ka shtuar më tej ai.

E gjitha lista e ndeshjeve në Serie A ka ndryshuar, sidomos ajo në javën e 26-të, e që nga ky vikend kanë filluar të zhvillohen normalisht, por pa tifozë. /Telegrafi/

Exit mobile version