Kamer Qaka është duke kaluar nëpër një moment fantastik këtë edicion.
Ylli shqiptar ka shkëlqyer në elitën e futbollit rumun me skuadrën e tij CSM Poli Iasi duke zhvilluar 18 ndeshje.
Forma e mirë që po kalonte ka bërë që ai të marrë ftesë edhe nga Kombëtarja A e Shqipërisë.
Por duket se Qaka nuk do të luajë gjatë për skuadrën e tij aktuale Poli Iasi, pasi në drejtim të tij ka disa oferta.
Ka qenë vetë presidenti i klubit rumun Adrian Ambrosie që ka konfirmuar dy oferta në klub me nga 500 mijë euro.
“Aktualisht Braga dhe Malmo janë dy skuadrat që kanë bërë oferta zyrtare me nga 500 mijë euro por duke parë cilësitë e Qakës ai së paku vlen një milionë euro”, ka thënë Ambrosie.
Tutje numri një i skuadrës Poli Iasi ka zubluar se për shqiptarin ka oferta edhe nga Serie A.
“Më duhet ta pranoj se për Qakën ka interesime nga Spanja, Portugalia, Seudia, Franca. Së fundmi atë e duan edhe disa skuadra në Serie A”.
“Nuk duhet përjashtuar edhe skuadrat e mëdha rumune si Steaua, Cluj dhe CSU Craicova janë interesuar për futbollistin tonë”, ka përfunduar presidenti i klubit rumun.
22-vjeçari iu bashkua skuadrës rumune Poli Iasi si futbollist i lirë pas skadimit të kontratës me skuadrën norvegjeze Kristiansund. /Telegrafi/