Telegrafi

Presidenti i Dagestanit rus zemërohet me thirrjen për mobilizim të qytetarëve të vet

Presidenti i Republikës Ruse të Dagestanit, Sergei Melikov duke gjykuar nga videoja e publikuar mbrëmë, u zemërua me oficerët rusë të ngarkuar me mobilizimin që po qarkullonin me veturë nëpër qytetin e Derbentit dhe përmes altoparlantëve u bërnin thirrje “të gjithë shtetasve meshkuj të paraqiten në zyrat e mobilizimit”.

“Si munden oficerët e mobilizimit në Derbent të ftojnë njerëzit në një mënyrë të tillë në zyrat e mobilizimit”, dëgjohet duke deklaruar Melikov në një takim të Këshillit të Sigurimit të Dagestanit.

“Kush i la ata të bredhin me vetura nëpër qytet?!”, pyeti ai.

Ai ka shfaqur përmes telefonit një video të shkurtër, në të cilën dëgjohet mesazhi, “Të dashur banorë të Derbentit, të gjithë qytetarët meshkuj duhet të paraqiten menjëherë në zyrën e mobilizimit. Përgatitni pasaportën dhe letërnjoftimin ushtarak”.

Javën e kaluar, presidenti rus Vladimir Putin njoftoi një “mobilizim të pjesshëm”, si pjesë e të cilit 300 mijë rezervistë me përvojë ushtarake duhet të thirren për shërbim në Ukrainë.

Pas njoftimit të Putinit për mobilizim, qindra civilë protestuan në Dagestan. /Telegrafi/