Telegrafi

Presidenti Begaj takohet me ambasadoren e Zambias, kërkon njohjen e Kosovës nga shteti afrikan

Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj ka pritur në një takim në Presidencë këtë të premte ambasadoren e Zambias, Patricia Chisanga Kondolo.

Ndër të tjera, në njoftimin e Presidencës theksohet se Begaj inkurajoi njohjen e Kosovës nga Zambia si kontribut në forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Në mungesë të njohjes zyrtare, Presidenti Begaj sugjeroi gjetjen e mënyrave të bashkëpunimit, siç është njohja e dokumenteve të udhëtimit apo realizimi i vizitave dhe promovimi i kontakteve të biznesit mes dy vendeve.

“Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh. T. Z. Bajram Begaj, priti sot në një takim Ambasadoren e Jashtëzakonshme dhe Fuqiplotë të Republikës së Zambias, jo rezidente në Shqipëri, Sh. S. Znj. Patricia Chisanga Kondolo.

Kreu i Shtetit e përgëzoi znj. Patricia Chisanga Kondolo për detyrën e re, duke i uruar suksese gjatë ushtrimit të këtij mandati.

Gjatë bisedës u trajtuan çështje të bashkëpunimit dypalësh, si edhe rëndësia e bashkëpunimit në kuadër të organizatave ndërkombëtare.

Presidenti Begaj theksoi nevojën e afrimit midis dy vendeve në fusha me interes të ndërsjellë, si edhe krijimin e një baze bashkëpunimi në fushat ekonomike dhe kulturore.

Në këtë drejtim u vlerësua rëndësia e shkëmbimit të vizitave në nivele të ndryshme, nxitja e dialogut politiko-diplomatik dhe shfrytëzimi i potencialit për veprimtaritë e forumeve ndërkombëtare”, mbyllet njoftimi i Presidencës. /Telegrafi/