Site icon Telegrafi

Presidenti Begaj pritet të marr pjesë në edicionin e tretë të Forumit të Prespës për Dialog

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj do të marrë pjesë më 16 qershor në edicionin e tretë të Forumit të Prespës për Dialogun, që organizohet në qytetin e Strugës.

Ky edicion përkon me 5-vjetorin e arritjes së marrëveshjes historike midis Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, në Prespë, më 17 qershor 2018, marrëveshje e cila i hapi rrugën anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO.

Me këtë rast, Presidenti Begaj është i ftuar të marrë pjesë në panelin e kryesuar nga Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, e ku do të marrin pjesë gjithashtu, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, si dhe presidentët e Kroacisë e të Malit të Zi, respektivisht Zoran Milanoviç dhe Jakov Milatoviç.

Tema e këtij paneli është: Paqja dhe demokracia kundrejt luftës dhe autokracisë (Peace and Democracy versus War and Autocracy). /Telegrafi/

Exit mobile version