Presidenti i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa i ka thënë presidentit rus Vladimir Putin se lufta në Ukrainë duhet të përfundojë.
Komentet e Ramaphosa-s, erdhën pasi takoi Putinin në Shën Petersburg të Rusisë të shtunën, si pjesë e një misioni paqeje me gjashtë vende të tjera afrikane, transmeton Telegrafi.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky i tha delegacionit të premten se ai nuk do të hynte në bisedime me Rusinë derisa trupat ruse janë prezente në tokën ukrainase.
Putini filloi pushtimin e Ukrainës dhe fajësoi këtë të fundit për refuzimin e bisedimeve.
Në takimin në Shën Petersburg, Ramaphosa gjithashtu bëri thirrje që të dyja palët të kthejnë të burgosurit e tyre të luftës dhe tha se fëmijët që u çuan në Rusi duhet të kthehen në shtëpi.
Putin është akuzuar për krime lufte nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për largimin me forcë të qindra fëmijëve ukrainas nga familjet e tyre gjatë pushtimit rus të Ukrainës.
Derisa delegacioni afrikan bëri thirrje për kthimin e fëmijëve në familjet e tyre, Putin ndërpreu fjalimin e tyre dhe pretendoi se Rusia po i mbronte ata.
“Fëmijët janë të shenjtë. Ne i larguam nga zona e konfliktit, duke i shpëtuar jetën dhe shëndetin”, tha ai. OKB tha se ata kanë prova të transferimit të paligjshëm të qindra fëmijëve ukrainas në Rusi. /Telegrafi/