Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor sot do të jetë për vizitë në Kosovë, ndërsa do të takohet me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.
Ceremonia pritëse për presidentin Pahor do të jetë orën 15:00, ndërkaq në orën 16:00 pritet të mbahet një konferencë për media.
Vizita e tij në Kosovë vjen para mbajtjes së Samitit Brdo-Brijuni që do të mbahet në Slloveni të hënën tjetër.
Para vizitës në Prishtinë, Pahor ishte në Beograd.
Ndryshe, Ministria e Punëve të Jashtme të Sllovenisë ka ftuar në bisedë ambasadorin serb, për shkak të deklaratave të bëra nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Vuçiq, gjatë vizitës së fundit të presidentit slloven, Borut Pahor në Beograd, tha se Sllovenia, sikurse edhe shtetet e tjera që e njohin Kosovën, ka shkelur integritetin territorial të Serbisë.
MPJ e Sllovenisë ftoi në bisedë ambasadorin serb në Lubjanë, Zoran Vlatkoviq, për të biseduar për këto deklarata që Vuçiqi i bërë gjatë një konference për media lidhur me vizitën e Pahorit në Serbi.
Ambasadori slloven në Serbi, Damjan Bergant, po ashtu është ftuar në bisedë për temën e njëjtë, tha Ministria sllovene për N1.
Presidenti serb, pas takimit me Pahorin në Beograd, ishte pyetur nga gazetarët pse Serbia nuk po i vendos sanksione Rusisë dhe ai ishte përgjigjur duke pyetur: “si t’ua shpjegoj qytetarëve se Serbia po i vendos sanksione Rusisë e jo Sllovenisë?”.
“Rusia nuk e ka shkelur integritetin territorial të Serbisë. Sllovenia e ka shkelur. Dhe siç e shihni, ne kemi raporte të mira me Slloveninë”, tha Vuçiq dhe shtoi se Sllovenia, sikurse për shembull Franca, Gjermania dhe SHBA-ja që njohin pavarësinë e Kosovës, që sipas qëndrimit të Serbisë, po shkel ligjin ndërkombëtar, Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit.
Ministria e Jashtme sllovene tha se ishte shumë e befasuar nga deklaratat e Vuçiqit.
“Edhe një herë, ne përsërisim qëndrimin tonë lidhur me Kosovën, që Sllovenia e njeh si shtet të pavarur dhe sovran. Në këtë drejtim, ne shprehim pritjet tona që Serbia në të ardhmen të mos e problematizojë qëndrimin tonë karshi Kosovës sepse mbështetja e Sllovenisë për Kosovën nuk është e drejtuar kundër Serbisë. Ne po ashtu shprehim kundërshtinë që njohja e Kosovës nga Sllovenia të krahasohet me agresionin rus kundër Ukrainës”, u tha në deklaratën e Lubjanës. /Telegrafi/