Site icon Telegrafi

Presidenca reagon pas sulmeve ndaj Policisë në veri: Serbia po tenton ta destabilizojnë situatën në Kosovë

Blerim Vela, shef i stafit në kabinetin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas sulmeve ndaj Policisë së Kosovës, duke thënë se Serbia dhe strukturat e saj kriminale po synojnë që ta destabilizojnë situatën në Kosovë.

Në një postim në Twitter, Vela ka shkruar se ata do të dështojnë, e shteti i së drejtës do të mbizotërojë.

Lexo po ashtu Breshëri plumbash, granatë dore, iriqë metalikë e gjuajtje me gurë në drejtim të zyrtarëve të Policisë së Kosovës

“Ditët e fundit, Serbia dhe strukturat e saj kriminale kanë kryer disa sulme që kishin cak Policinë e Kosovës në veri. Këto veprime të shoqëruara me tentativa dezinformuese synojnë të destabilizojnë situatën e sigurisë dhe politike në Kosovë. Ata do të dështojnë, shteti i së drejtës do të mbizotërojë”, ka shkruar Vela.

Burime të Telegrafit, bëjnë të ditur se pas zhvillimeve të fundit në vend si rezultat i veprimeve destabilizuese të Serbisë, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka zhvilluar një takim me strukturat e sigurisë.

Ndryshe, katër sulme ndaj zyrtarëve të Policisë së Kosovës kanë ndodhur në tri ditët e fundit në pjesën veriore të vendit, ku janë përdorur armë e mjete të ndryshme.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, njoftoi përmes në konference për media se në sulmin e parë kanë hasur në rrugë iriqë metalikë që shërbejnë për dëmtimin e gomave të automjeteve, në atë të dytin zyrtarët janë sulmuar me gurë, në sulmin e tretë kanë dëgjuar katër-pesë breshëri, diku rreth 30 fishekë, ndërsa në të katërtin janë përdorur granata dore dhe AK 47./Telegrafi/

Exit mobile version