Zyra e presidencës i ka reaguar deputetes së PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, e cila në seancën e Kuvendit ka kritikuar presidenten Vjosa Osmani se po heshtë, derisa qytetarët po ballafaqohen me kriza të shumëfishta.
Donjeta Miftari, këshilltare e presidentes Vjosa Osmani, përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se Presidentja i di shumë mirë obligimet e saj kushtetuese, se cilat janë përgjegjësitë e saj, e cilat jo.
Sipas saj, Osamani ka siguruar edhe donacion prej gjysmë milioni vaksina nga SHBA-ja.
“Ashtu si pjesa më e madhe e botës, Republika e Kosovës është përballur me sfida që lidhen me pandeminë, për të cilat është angazhuar personalisht Presidentja. Ky angazhim, ndër të tjera, ka rezultuar me sigurimin e donacionit prej mbi 500,000 vaksinave nga SHBA-të dhe mijëra vaksina të tjera nga partnerë të tjerë. Me këtë temë, nga vaksinimi, e deri te vetëdijesimi, Presidentja merret në baza ditore dhe këto bëhen transparente për publikun nëpërmjet komunikatave për medie”, u shpreh ajo.
Tutje tha se Osmani si udhëheqëse e politikës së jashtme ajo kryesisht angazhohet për mbështetje më të madhe të partnerëve në ballafaqimin me pandeminë, por edhe për sektorin e shëndetësisë në përgjithësi.
“Së fundi, Presidentja e ka diskutuar temën e pandemisë në koordinim me partnerët edhe sot, në takim me ambasadorin amerikan si dhe me ambasadorin e OSBE-së. Ajo vazhdimisht i bënë të qarta kërkesat dhe qëndrimet e saj edhe në Komitetin për vlerësimin e situatës me pandeminë”, deklaroi këshilltarja.
Ndërsa Miftari ka hedhur akuza ndaj Deliu-Kodra se bashkë me PDK-në kanë bojkotuar seancën e Kuvendit në të cilën Osmani kishte raportuar pikërisht për pandeminë.
“Se sa është angazhuar Presidentja për këtë temë, ka raportuar edhe në Kuvend, ashtu siç e kërkon Kushtetuta, por deputetja Deliu bashkë me partinë e saj e kishin bojkotuar (njëjtë siç kishin votuar kundër kur Presidentja në cilësinë e kryetares së Kuvendit propozonte amandamente për t’ua lehtësuar qytetarëve ballafaqimin me pandeminë). Siç ishte e qartë për këdo që e ka dëgjuar adresimin vjetor të Presidentes por edhe për këto që e përcjellë punën e saj, Presidentja është fokusuar fuqishëm në veprime që e fuqizojnë shtetin dhe interesat e qytetarëve të Kosovës, porse nuk merret me deklarime boshe”, tha Miftari.
Më tej theksoi se deputetja Deliu-Kodra, nuk ka pse t’ia kujtojë Presidentes detyrat e saj si nënë, ngase një veprim i tillë sipas saj nuk ndodh asnjëherë në raport me burrat që kanë fëmijë.
Madje e ka quajtur qasje seksiste.
“Kjo qasje është seksiste dhe vetëm sa e inkurajon seksizmin në shoqërinë tonë. Pritjet janë më të mëdha prej një politikane e deputete. Si është e mundur që një deputet i PDK-së ta sulmojë Presidenten për gjoja mos-reagim ndaj situatës në Ukrainë, teksa deputetja e po të njëjtës parti ankohet pse Presidentja ka reaguar kundrejt një situate të tillë? Kontradiktorë në qëndrime, si gjithmonë”, shkroi Miftari./Telegrafi/