Telegrafi

Presidenca njofton se Vjosa Osmani i gëzon të gjitha kompentencat kushtetuese të Presidentit

Presidenca e Kosovës ka dhënë një sqarim rreth kompetencave që ka u.d e presidentes, Vjosa Osmani.

Presidenca njofton se u.d e presidentes nuk ka asnjë kufizim në ushtrimin e kompetencave kushtetuese.

“Përderisa ushtron detyrën e Presidentes, ajo njëkohësisht ushtron edhe të gjitha kompetencat e plota të kreut të shtetit, ashtu siç e parasheh Kushtetuta dhe e drejta pozitive në tërësi. Lidhur me këtë ekzistojnë edhe aktgjykime të Gjykatës kushtetuese, konkretisht rastet KO 29/12 dhe KO 48/12. Një nga këto aktgjykime trajton propozimim e Kuvendit për kufizim të kompetencave të u.d. të Presidentit përmes amendamenteve kushtetuese.

Megjithatë, këto amendamente Kushtetuese, asnjëherë nuk janë votuar e as nuk kanë hyrë në fuqi. Ndaj kanë mbetur vetëm propozim-amendamente, pa u materializuar. Pra nuk janë bërë asnjëherë pjesë e Kushtetutës. Në rastin në fjalë, Gjykata Kushtetuese kishte konstatuar se amendamentet e propozuara pakësojnë të drejtat dhe liritë e njeriut”, thuhet në njoftim.

Më tej, presidenca thotë se përderisa nuk ka asnjë amendament kushtetues, i cili miratohet në Kuvend e bëhet pjesë e kushtetutës dhe kufizon kompetencat e u.d. të Presidentes, atëherë u.d Presidentja i gëzon të gjitha kompetencat kushtetuese të Presidentit

“Për këtë arsye këto propozim-amendamente nuk janë formalizuar asnjëherë. Përderisa nuk ka asnjë amendament kushtetues, i cili miratohet në Kuvend e bëhet pjesë e kushtetutës dhe kufizon kompetencat e u.d. të Presidentes, atëherë u.d Presidentja i gëzon të gjitha kompetencat kushtetuese të Presidentit që nga momenti kur ka filluar ushtrimin e detyrës. Çdo interpretim tjetër, sipas të cilit u.d. Presidentja i ka të kufizuara kompetencat bazuar në propozim amandamente që kurrë nuk u votuan, nuk është interpretim i kushtetutës por thjeshtë qasje tendencioze politike. Kabineti i u.d. Presidentes”, vijon njoftimi.

Ky reagim nga presidenca vjen pas deklaratës së ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, i cili ka thënë ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani ka shkelur Kushtetutën e vendit, pasi që  ajo nuk ka të drejt të ndajë dekorata. /Telegrafi/