Një burrë është arrestuar në Poloni nën dyshimin se ka përdhunuar një vajzë 19-vjeçe nga Ukraina, të cilës i bëri thirrje përmes internetit se mund të qëndrojë në shtëpinë e tij pasi ajo ishte arratisur nga vendlindja – ku po zhvillohen luftime të ashpra me trupat ruse.
Ky incident ka ngjallur frikën për trafikim me njerëz dhe sulme seksuale, e policia polake në Wroclaw ka njoftuar se ka arrestuar një 49-vjeçar nën dyshimin për përdhunim, transmeton Telegrafi.
Nëse shpallet fajtor mund të dënohet deri në 12 vite burgim për krimin brutal, kanë njoftuar autoritetet e atjeshme. Ai kishte takuar vajzën duke i ofruar ndihmë përmes një portali në internet.
“Ajo kishte ikur nga lufta në Ukrainë dhe nuk e fliste gjuhën polake. I besoi burrit që i kishte premtuar ndihmë dhe strehim. Për fat të keq, e gjithë kjo doli të jetë një mashtrim dhe manipulim”, thuhet në një kumtesë të policisë polake. /Telegrafi/