Telegrafi

Prej disa orësh në SPAK, flet për mediat Ilir Meta: Ja për çfarë më pyetën

Ish-Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka dalë në një deklaratë për mediat pas tre orësh në Prokurorinë e Posaçme SPAK.

Në fjalën e tij për mediat ai tha se është pyetur për çështjen e CEZ-DIA.

Meta u shpreh se nuk ka lidhje me çështjen ndërsa hodhi akuza dhe ndaj Partisë Socialiste.

“Së pari Ilir Meta nuk ka asnjë lidhje me procesin e privatizimit të CEZ-it, pasi ka qenë në opozitë atë kohë. Ilir Meta nuk ka asnjë lidhje me CEZ-DIA. Pasi marrëveshja është bërë kur Ilir Meta ka qenë ministër Ekonomie. Gjatë 4 muajve që kam qenë ministër CEZ-i nuk ka përfituar asgjë nga qeveria, përkundrazi kemi qenë në debate të vazhdueshme. Së dyti në dhjetor pasi ERE mori një vendim që në gjykimin tonë favorizonte CEZ-in në raport me KESH-in, ministria e ka kundërshtuar këtë vendim”, tha Meta.

“Nuk është përgjegjësia ime që keni pritur këtu disa orë por mund t’ju përgjigjem me qetësi e dashuri. Kam pasur një festë për të ardhur në SPAK prej disa ditësh për një çështje të nisur kryesisht në vitin 2019. Kjo s’është e rëndësishme që ta sqaroj, se dikur kam pasur pritshmëri që SPAK do ishte lider në luftën kundër korrupsionit dhe sigurisht sa herë do ftohesha do të vija për çdo ­çështje”, shtoi Meta.

“Ashtu sikurse e dinë që janë me dhjetëra kallëzime të mijat edhe kur kam qenë president për çështje të veçanta apo për denoncimin e Kuvendit dhe falsifikimit të firmës të kryetarit të kuvendit. Kishte të bënte me çështja të CEZ dhe DIA, është një çështje shumë e përsëritur dhe aktivizohet sa herë që rilindja është në krizë. Por gjithsesi, unë tregoj sjelljen time prej shtetari me transparencë. Jam përgjigjur me qetësi dhe durim për t’i ndihmuar”, tha Meta. /Telegrafi/