Ish-deputeti i Partisë Socialiste në Shqipëri, Alqi Bllako, rikthehet në burg, sipas vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit, e cila pranoi ankimimin e Prokurorisë së Posaçme SPAK ndaj vendimit të Shkallës së Parë për ta kaluar Bllakon në “arrest shtëpie”.
Pala mbrojtëse pretendonte se lehtësimi i masës së sigurisë ishte i drejtë pasi SPAK-u kishte përfunduar të gjitha veprimet hetimore dhe se ish-deputeti nuk kishte rrezikshmëri shoqërore, as mundësi të dëmtonte provat, apo t’i shmangej hetimit.
Ndër argumentet e paraqitura në seancën e 6 tetorit, kur u vendos edhe kalimi i Bllakos në “arrest shtëpie”, ishin paraqitur edhe rrethanat familjare të ish-Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, nevoja e tij si kryefamiljar në përkujdesjen e tre fëmijëve të mitur.
SPAK kërkoi arrestimin e Alqi Bllakos në fund të muajit mars të këtij vit, pas dyshimeve ndaj tij për “korrupsion” dhe “shpërdorim të detyrës” gjatë procedurës tenderurese për impiantin e plehrave ose inceneratorin e Fierit. Prokuroria pretendon se nga hetimet rezulton që, në bashkëpunim me ish-ministrin Lefter Koka, Bllako ka falsifikuar dokumentin në lidhje me sipërfaqen e tokës ku u ndërtua inceneratori i Fierit, duke i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit prej 16 milionë lekësh.
Bllako dorëzoi mandatin e deputetit, pak orë pasi SPAK i kërkoi Kuvendit autorizim për ta arrestuar. Sipas SPAK, në bashkëpunim me ish-ministrin Lefter Koka, Bllako ka falsifikuar dokumentin në lidhje me llojin e sipërfaqes së tokës ku u ndërtua inceneratori, duke mashtruar Këshillin e Ministrave, si edhe ka përfituar ryshfet për favorizim të paligjshëm të kompanisë koncensionare. /Telegrafi/