Talenti i Torinos, Jacopo Segre, ka kërkuar falje pasi ka marrë kritika të shumta nga tifozët e Granatas për shkak të fotografisë së tij me fanellën e Paulo Dybalas pas humbjes në Derby della Mole.
Juventusi e përmbysi rivalin lokal në derbin e të shtunës duke fituar me rezultat 2-1.
23-vjeçari Segre hyri në lojë në minutat e fundit të ndeshjes, mirëpo kritikat shkuan për atë që bëri pas përfundimit të sfidës.
Ai ka bërë një fotografi me fanellën e yllit të Juventusit, Paulo Dybala, të cilën ia kishte dhuruar pas takimit në Allianz Stadium.
Futbollisti nuk e kishte shpërndarë në profilet e tij, mirëpo të tjerët e kanë publikuar fotografinë, e cila ka nxitur reagime të shumta duke e detyruar lojtarin që të kërkonte falje.
“Bëra një gabim duke u fotografuar me fanellën e Dybalas, një dhuratë e thjeshtë për një tifoz të Argjentinës”.
“Gabova dhe dua të kërkoj falje për të gjithë tifozët dhe gjithë botën Toro. Jacopo Segre është një Granata në brendi dhe gjithmonë do të jetë i tillë”, ka shkruar ai në Instagram. /Telegrafi/