Në mbledhjen e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit pati debat të ashpër në mes deputetëve, ndërkaq si rrjedhojë u ndërpre mbledhja.
Kryetarja e Komisionit për Legjislacion, Albulena Haxhiu duke folur për vdekjen e dyshimtë të Astrit Deharit tha se LDK e PDK po e përkrahë krimin.
Por, Armend Zemaj nga LDK, tha se arsyeja e deklaratave të Albulenës është politike.
“Kur ishte Dhurata Hoxha në Komision, asnjë pyetje nuk ia ke bo asaj si pjesëtare e Komisionit”, tha Zemaj.
Edhe deputetja e PDK-së, Selvije Halimi ka folur rreth rastit Dehari. Ajo tha se rasti ende nuk është mbyllur.
“Këto janë sipas raporteve të institucioneve gjegjëse. Është vetëm një ekspertizë. Derisa rasti nuk është mbyll. Një ftesë të Ministrisë së Drejtësisë drejtuar Ambasadës Britanike që ta ndihmojnë ekspertizën. Konsideroj se rasti nuk o mbyll”, tha ajo.
Ndërsa, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Palë Lekaj, tha se vendimi nuk është menaxhuar në mënyrë profesionale.
“Askush nuk mori përgjegjësi. Ka vdekur në institucione. Moralisht është dashur të suspendohet. Dikush duhet të suspendohet. Nuk ka asgjë të keqe që të ftohet Sylë Hoxha dhe Dhurata Hoxha në Komision për sqarim, tha ai.
Por, Selvije Halimi, tha se Komisioni nuk ka kompetencë ta ftojë kryeprokurorin.
“Derisa të përfundoj rasti, e thërrasim ministren. Do të kërkoj ndjekje penale për bërësit e aktit nëse ka, edhe shtytësit”, tha ajo. /Telegrafi/