Site icon Telegrafi

Pozita e opozita nuk pajtohen për formimin e Komisionit hetimor për krizën energjetike

Në Kuvendin e Kosovës po debatohet për krijimin e një Komisioni hetimor për krizën energjetike, ku opozita po këmbëngul që ky Komision të formohet, në të kundërtën sipas tyre nuk ka kuptim të marrin pjesë në votime tjera.

Komisioni hetimor po kërkohet të formohet për çështjet energjetike, saktësisht për krizën energjetike, çështjet e tarifës dhe punësimet në KEK.

Shefja e Grupit parlamentar e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila tha se bazuar në Ligjin për hetim parlamentar, kryesuesi i komisionit emërohet nga Kuvendi me rastin e themelimit të komisionit, kryesuesi zgjidhet nga radhët e njërit grup parlamentar që nuk është iniciator i Komisionit hetimor dhe nuk i përket partisë së koalicionit qeverisës.

“Në rrethanat aktuale pamundësohet funksionalizimi i këtij komisioni hetimor, pasi që të gjitha partitë parlamentare janë iniciues të këtij komisioni dhe me ligj asnjë nga deputetët e pozitës nuk mund të jetë kryesues i komisionit hetimor parlamentar”, tha ajo.

Kusari Lila tha se inkurajon opozitën që të gjejë mekanizma tjerë.

Shefi i Grupit parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri tha se si Grup Parlamentar dhe propozues të Komisionit Hetimor lidhur me krizën energjetike kanë propozuar formimin e një komisioni hetimor që është përkrahë nga 40 deputetë.

“…Meqenëse jeni në dijeni se herën e kalume propozimi i gjashtë deputetëve ka rënë, kjo tashmë është kategori kushtetuese dhe formalitet formimi i këtij komisioni. Ne e kemi diskutuar edhe në seancën e kaluar dhe përmes këtij mocioni kërkojmë nga grupet parlamentare ta përkrahin formimin e këtij komisioni dhe kërkojmë të futet në rend dite dhe pastaj votojmë për marrëveshjet”, tha ai.

Më tej, Tahiri shtoi se formimi i Komisionit të kalojë me 2/3 e deputetëve të pranishëm.

“Unë ja rikujtoj Kusarit-Lila se PDK është propozues i këtij komisioni hetimor… nuk është as LDK e as AAK, deputetët e këtyre grupeve e kanë nënshkruar kërkesën e PDK-së për themelimin e Komisionit”, tha ai.

Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, në seancën e sotme të Kuvendit ka kërkuar miratimin e Komisionit Hetimor Parlamentar, duke paralajmëruar se nëse nuk bëhet një gjë e tillë, nuk do të marrin pjesë në asnjë votim.

Para deputetëve, ai ka thënë se “nuk ka kuptim që të votojmë për marrëveshje ndërkombëtare kur opozitës i mohohet një e drejtë kushtetuese”.

“Nëse nuk formohet ky komision, nuk ka më kuptim që ne të marrim pjesë në Kuvend. Nuk ka më kuptim të marrim pjesë në votime. Çfarë kuptimi ka që ne të votojmë për marrëveshje ndërkombëtare? Nuk ka kuptim parlamentarizmi në këtë vend, nëse një e drejtë kushtetuese e opozitës mohohet? Nuk ka! Nuk ka më kuptim demokracia! Po mohohet e drejta e mendimit ndryshe për një proces”, është shprehur Gashi.

Edhe shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri tha se Kuvendi ka ardhur në një situatë që nuk do të duhej të vinte.

Ai tha se mosgatishmëria për Komision hetimor dhe përqendrimi në çështje teknike është gabim i pafalshëm për Vetëvendosjen.

Tahiri i AAK-së theksoi se nëse pushteti dëshiron frymë afatgjate të bashkëpunimit atëherë duhet të votojë për Komisionin hetimor.

“Nuk do ta pranojmë mos-themelimin e Komisionit. Nëse mendoni se është antikushtetues adresoni çështjen në Kushtetuese”, tha ai.

“Pse mos me pas një hetim parlamentar për krizën energjetike, tarifat a janë të drejta a jo… punësimet në KEK pse mos të ketë një hetim, çfarë po fshihni”, pyeti Tahiri. /Telegrafi/

Exit mobile version