Gati 2 milionë njerëz janë zhvendosur nga Gaza, pothuajse e gjithë popullsia, pasi ushtria izraelite javën e kaluar urdhëroi evakuimin e Gazës në mes të një operacioni tokësor, tregojnë shifrat e fundit të OKB-së.
Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) kanë shtuar sulmet në disa pjesë të Rripit, duke përfshirë lagjen Shujaya në veri.
UNRWA, agjencia kryesore e OKB-së për refugjatët palestinezë, vlerëson se deri në 1.9 milionë njerëz në Gazë janë zhvendosur brenda vendit – rreth 90 për qind e popullsisë së Rripit, e vlerësuar nga OKB-ja të jetë rreth 2.1 milionë njerëz.
Bëhet e ditur se numri i personave të zhvendosur u rrit nga 1.7 milionë që kur Izraeli nisi ofensivën e tij në qytetin jugor të Rafahut, shkruan CNN, përcjell Telegrafi.
Ofensiva e re ngre pyetje rreth asaj se si dhe kur Izraeli do ta mbyllë luftën e tij, e cila është zhvilluar për gati nëntë muaj me synimin për të shkatërruar kapacitetet ushtarake dhe qeverisëse të Hamasit dhe për të shpëtuar pengjet izraelite.
Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) tha se 80 mijë njerëz janë zhvendosur këtë javë pasi IDF lëshoi urdhra evakuimi në zonat lindore të qytetit të Gazës.
Ndërkohë, operacionet kanë vazhduar edhe pse numri i viktimave është rritur.
IDF tha se kishte eliminuar një numër të “celulave terroriste” dhe strukturave nëntokësore, por pa dhënë shifra. /Telegrafi/