Ish-presidenti ukrainas – njëherësh edhe rivali presidencial i Volodymyr Zelenskyt – Petro Poroshenko i ka bërë thirrje Perëndimit që të përballet me Vladimir Putinin duke “mbytur” eksportet jetike të Moskës.
Në një intervistë nga Kievi, Poroshenko bëri thirrje për një “koalicion anti-Putin” që mund të izolojë Rusinë, përcjell Telegrafi.
“Të gjitha kombet e botës duhet të kuptojnë se janë anëtarë të koalicionit anti-Putin”, ka thënë Poroshenko për Newsweek përmes telefonit.
Ndryshe, zyrtarët dhe politikanët e lartë ukrainas mbeten të sigurt për fitoren ndaj Rusisë.
Megjithatë, forcat e Moskës kanë marrë zona të jugut dhe lindjes, duke shkaktuar një krizë refugjatësh, duke shkatërruar infrastrukturën e Ukrainës dhe duke mbytur ekonominë kombëtare.
Kështu, Poroshenko sugjeron “katër gjërat e rëndësishme” përmes së cilave Rusia mund të mposhtet në Ukrainë:
Bllokimi i Rusisë
Sipas Newsweek, përcjell Telegrafi, bllokada ruse e porteve ukrainase të Detit të Zi është veçanërisht ndëshkuese.
Këtë javë, gruri filloi të transportohej nga qyteti port i Odessa për herë të parë pas disa muajsh nën një marrëveshje të re të sponsorizuar nga Kombet e Bashkuara dhe Turqia.
Por eksportet janë të ngadalta dhe siguria e tyre nuk është aspak e garantuar, siç dëshmohet nga sulmi rus në portin e Odessas vetëm disa orë pas nënshkrimit të marrëveshjes muajin e kaluar.
“Kombet e Bashkuara thanë se 50 deri në 100 milionë njerëz janë në rrezik të urisë së plotë për shkak të bllokadës ruse”, tha Poroshenko për Newsweek, duke u bërë thirrje partnerëve ndërkombëtarë të Ukrainës që të fillojnë bllokadën e tyre të porteve ruse. “Duhet të jemi vendimtarë”.
“Nëse Rusia bllokon portet e Ukrainës, koalicioni global anti-Putin mund të ketë një zgjidhje ligjore për të bllokuar eksportet ruse”, tha ai. “Ky do të ishte një reagim shumë i shpejtë”.
Një veprim i tillë do të paraqiste një mori problemesh diplomatike, ligjore dhe logjistike.
Por, ish-presidenti tha: “Është e mundur, një kombinim i sanksioneve dhe embargove është padyshim rruga më e shkurtër drejt paqes, nëse do të shoqërohej me furnizim me armë dhe solidaritet ndërkombëtar”.
Sipas shkrimit të Newsweek, GDP-ja e Ukrainës ka rënë më shumë se 30 për qind, inflacioni po shkon mbi 30 për qind, monedha kombëtare hryvnia ka rënë 25 për qind kundrejt dollarit amerikan dhe shkalla e papunësisë është rreth 35 për qind.
Poroshenko, i njohur si “Mbreti i çokollatës” për shkak të pronësisë së tij të firmës së ëmbëlsirave Roshen të Ukrainës, tha se Kievi duhet të forcojë ekonominë kombëtare duke krijuar një “parajsë investimesh” me më pak kufizime dhe ndëshkime për bizneset dhe investitorët ukrainas.
“Nëse nuk mbrojmë ekonominë tonë, nëse nuk mbrojmë klimën tonë të investimeve, nëse nuk mbrojmë punësimin tonë, procesi negativ do të thellohet”, paralajmëron ai, përcjell Telegrafi.
Armët ‘që ndryshojnë lojën’
Furnizimi i vazhdueshëm dhe i zgjeruar i armëve të avancuara, tha Poroshenko, është një element kyç për suksesin e planifikuar të Ukrainës.
Sistemeve të artilerisë me rreze të gjatë – duke përfshirë HIMARS-in e prodhuar në SHBA – tashmë në Ukrainë duhet t’u bashkohen me aeroplanë luftarakë F-16 dhe bateri të avancuara kundër ajrit, siç është sistemi Patriot i prodhuar në SHBA, tha Poroshenko.
“Imagjinoni që sa më shumë armë të kemi, aq më e shkurtër është distanca për paqen. Ne patjetër duhet ta përfundojmë luftën para fundit të vitit…Kjo është arsyeja pse ne nuk kemi një vit për t’u furnizuar F-16 dhe dy vjet për t’u furnizuar me Patriotët. Duhet të flasim për ditë”.
Oferta e NATO-s
Poroshenko, i cili negocioi drejtpërdrejt me Putinin për t’i dhënë fund luftimeve midis forcave ukrainase dhe ruse në rajonin lindor të Donbasit në vitin 2014, tha se Ukraina ka nevojë për mbështetje ndërkombëtare në çdo bisedim të ardhshëm.
“Unë e urrej idenë e negociatave dypalëshe me Putinin”, tha Poroshenko. “Ukraina duhet të jetë së bashku me partnerët e saj”.
Rusia ka kërkuar që NATO të përjashtojë Ukrainën nga anëtarësimi i ardhshëm, por aleanca publikisht ka mbetur e përkushtuar ndaj politikës së saj të dyerve të hapura.
Kushtetuta e Ukrainës ruan angazhimet për anëtarësimin në NATO dhe Bashkimin Evropian.
Më shumë se 70 për qind e ukrainasve tani mbështesin anëtarësimin në aleancën transatlantike, sipas anketuesve.
“Askush nuk mund të na ndalojë”, mendon Poroshenko.
“I vetmi dokument që mund të garantojë sigurinë tonë është neni i pestë i Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut”, shtoi ai, duke iu referuar angazhimit të NATO-s për mbrojtjen kolektive.
“Ju lutemi, mos lejoni Rusinë të shantazhojë Perëndimin”, u bëri thirrje Poroshenko udhëheqësve të huaj. “Në përgjithësi, ju lutemi mos i besoni Putinit dhe mos kini frikë nga Putini. Këta janë dy faktorët kryesorë për të sjellë paqen dhe për të fituar luftën”.
‘Unitet’ i brendshëm
Që kur u mund nga Zelensky në vitin 2019, Poroshenko është akuzuar për tradhti në lidhje me shitjen e një sasie të madhe qymyri që financoi forcat separatiste të mbështetura nga Rusia në Donbas në 2014-15.
Por Poroshenko pohon se akuzat janë të motivuara politikisht.
Poroshenko i tha Newsweek se vendosi një “armëpushim informal” me qeverinë e Zelensky në orët pasi Rusia sulmoi më 24 shkurt.
“Ne u takuam dhe thashë: Paqe që nga tani, nga ky moment. Ju nuk jeni më president, nuk jam më lider i opozitës. Jemi të gjithë ushtarë”.
“Ky unitet e befasoi Putinin dhe befasoi botën”, shtoi ai. “Dy javët ku rreziku ishte vërtet i lartë dhe kur, për fat të keq, një pjesë e konsiderueshme e parlamentit dhe e qeverisë ishte jashtë Kievit, ne qëndruam këtu dhe kjo paqe ishte e fortë”. /Telegrafi/