Mungesa e mbështetjes ushtarake për Ukrainën mund të çojë përfundimisht që “çizmet ruse të futen në territorin e NATO-s”.
Kështu, siç raportojnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, ka paralajmëruar ish-presidenti ukrainas Petro Poroshenko.
Ai përshëndeti një iniciativë të udhëhequr nga Çekia për të siguruar një milion predha për Kievin nga vendet jo-evropiane, por tha se nevojitet më shumë ndihmë – dhe se mbështetja ushtarake duhet të përshpejtohet.
Sipas tij, është “e rrezikshme” që një faturë sigurie prej 95 miliardë dollarësh e SHBA që përmban kryesisht ndihmë ushtarake për Ukrainën të mbetet e bllokuar në Kongres.
“Ekziston një rrezik shumë i lartë që Rusia mund të ketë sukses të kufizuar në një periudhë të kufizuar kohore. Me këtë situatë, ne duhet të bëjmë çmos për ta përshpejtuar atë dhe për të marrë një vendim të shpejtë”, citohet të ketë thënë ai.
Ai vazhdoi duke thënë: “Unë thjesht dua që të gjithë britanikët, të gjithë evropianët, të kuptojnë se më pak armë [do të thotë] më shumë mundësi që çizmet e ushtarëve rusë të jenë në tokën e vendeve anëtare të NATO-s”.
Poroshenko paralajmëroi se një humbje e Ukrainës do të ishte një “humbje e Evropës” dhe “të gjithë botës së lirë demokratike”. /Telegrafi/