Një zyrtar polak deklaroi se vendi i tij do të ecë shpejt me hetimet rreth raketës që ra të martën në fshatin polak Przewodow.
Duke folur për CNN-in, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Polonisë, Lukasz Jasina tha se Polonia po vazhdon hetimet rreth incidentit, duke shtuar se autoritetet presin të marrin rezultatet në ditët e ardhshme.
Jasina tha se ekspertëve ukrainas do t’u lejohet gjithashtu qasje në vend, duke theksuar se së pari duhet të ketë “disa marrëveshje ligjore për të krijuar një hapësirë të mirë për ekspertizën e tyre”.
Ndërkohë, presidenti polak, Andrzej Duda tha se hetuesit ukrainas do të lejohen të vëzhgojnë hetimin, “por kur bëhet fjalë për pjesëmarrjen në procedime dhe qasje në dokumente dhe informacione, kjo kërkon arsye specifike traktati, arsye specifike në fushën e së drejtës ndërkombëtare dhe marrëveshjet ndërkombëtare”.
Jasina tha se vjen nga rajoni ku shpërtheu raketa gjersa disponimi mes miqve dhe fqinjëve të tij është “shumë shumë i ulët”.
“Kërcënimi rus është i drejtpërdrejtë jo vetëm për Ukrainën, por edhe për Poloninë dhe shtetet e tjera evropiane. Ajo luftë është kundër të gjithë neve, kundër vlerave tona, kundër Evropës, kundër stilit tonë të jetesës”, shtoi ai. /Telegrafi/