Site icon Telegrafi

Polonia heq TVSH-në për benzinë dhe disa produkte ushqimore, çekët bëjnë “një furi blerjesh” – kjo shfrytëzohet edhe nga gjermanët

Çekët ia kanë mësyrë të kalojnë përtej kufirit për të blerë ushqime dhe derivate të naftës të lirë në Poloni pas uljes së TVSH-së në karburant dhe eliminimit të saj tërësisht në disa produkte ushqimore.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, uljet e TVSH-së janë pjesë e masave të ndërmarra nga qeveria polake për të luftuar inflacionin.

Siç bëhet e ditur, një litër benzinë EU95 kushton rreth 36 CZK (1,49 EUR) në Republikën Çeke në krahasim me 28 CZK (1,16 EUR) në Poloni.

Rregulloret çeke lejojnë që maksimumi 20 litra benzinë të transportohen në bombola.

Por sipas gazetarëve, disa shoferë kalojnë kufirin polak disa herë dhe blejnë gjithsej 100 litra.

Norma zero e TVSH-së për disa ushqime, me sa duket, ka provokuar gjithashtu një joshje shtesë për çekët.

Si rezultat, ka radhë të gjata për mish, produkte qumështi dhe fruta, sipas të përditshmes çeke Mlada Frona Dnes.

Sipas mediave, portokallet në Poloni kushtojnë 15,60 CZK (0,64 EUR) për kilogram kundrejt 49,90 CZK (2,06 EUR) mesatarisht në Republikën Çeke.

Edhe pse produktet ushqimore polake janë më të lira se në Republikën Çeke, dallimet në çmime në përgjithësi nuk janë aq tërheqëse sa në rastin e benzinës, shkruan media çeke.

Ndërkohë lidhur me një fenomen të tillë kanë shkruar edhe disa media gjermane, sipas të cilave, një lëvizje e tillë e çmimeve ka bërë që edhe shumë gjermanë, sidomos ata afër kufirit, t’ia mësyjnë Polonisë.

Siç supozohet, stacionet e benzinës polake kanë tunduar shoferët gjermanë me çmime tërheqëse.

Një litër Super karburant në Poloni aktualisht është rreth 0.50 euro më lirë se në Gjermani.

Megjithatë, vetëm ata që janë afër kufirit në Gjermani, kursejnë para kur udhëtojnë për në Poloni.

Sipas llogaritjeve të Bild, furnizimi me karburant i një rezervuari 50 litrash është më i lirë për 25 euro në Poloni. Në rastin e një “rezervuari” shtesë prej 20 litrash, mund të kurseni deri në 10 euro. /Telegrafi/

Exit mobile version