Presidenti Andrzej Duda ka thënë të mërkurën se Polonia ishte e përgatitur të dërgonte të gjithë aeroplanët e saj luftarakë MiG-29 në Ukrainë “në të ardhmen”.
Lajmi vjen pasi ky vend kishte premtuar tashmë 14 aeroplanë të prodhimit sovjetik, për t’i dërguar në Ukrainë.
“Unë mendoj se në të ardhmen ne do të jemi në gjendje të transferojmë të gjithë flotën tonë të mbetur të MiG-29 në Ukrainë nëse ka ende një nevojë të tillë”, citohet të ketë thënë Duda në një konferencë shtypi së bashku me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, përcjell Telegrafi.
Duda tha se masa, megjithatë, do të kërkonte një dritë jeshile nga aleatët e NATO-s pasi aeroplanët luftarakë të mbetur në posedim të Polonisë ishin “përshtatur me standardet e NATO-s”.
“Do të na duhen ende disa”, ka thënë më tej ai, duke shtuar se Polonia do të jetë në gjendje “t’i kalojë” Ukrainës MiG-29-të e saj të vjetër pasi merr me porosi aeroplanë të rinj luftarakë të Koresë së Jugut FA-50 dhe të prodhuar nga SHBA-ja.
I pari nga 50 aeroplanët luftarakë FA-50 duhet të mbërrijë në Poloni para fundit të vitit, ndërsa i pari nga 32 aeroplanët F-35 pritet që nga viti i ardhshëm. /Telegrafi/